ARKATANA

De Biasi në telashe, Kombëtares i mungojnë 13 lojtarë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gianni de Biasi nuk do ta ketë aspak të lehtë ta formoj një skuadër të fortë për ndeshjen ndaj Portugalisë, e cila do të zhvillohet në kuadër të Euro 2016. Strateg italian nuk mund të llogaritë në 13 lojtarë.

Kur jemi vetëm pak ditë nga starti zyrtar i kualifikimeve për Europianin “Francë 2016″, Gianni de Biasido duhet t’i bëjë llogaritë me të paktën 13 futbollistë, të cilët ose janë larguar nga skuadra jonë, ose janë të dëmtuar, ose nuk kanë ende një skuadër, ndaj rrezikojnë seriozisht grumbullimin për takimin e 7 shtatorit ndaj Portugalisë.

Problemet më të mëdha, si rrallëherë janë në mesfushë, ku janë të paktën pesë lojtarë të dëmtuar, që nuk do mund të jenë të gatshëm, ndoshta edhe për ndeshjet e tetorit (varet sesi do të shkojë rikuperimi i tyre dhe nëse do mund të kapin formën e duhur sportive për të qenë më pas në fushën e lojës).

Lëndimet

Është e sigurt se Alban Meha, Burim Kukeli, Vullnet Basha, Ledian Memushaj, Migjen Basha dhe Armando Sadiku nuk do të jenë pjesë e kuqezinjve për ndeshjen e shtatorit. Që të gjithë këtë lojtarë janë të dëmtuar dhe disa prej tyre nuk kanë nisur ende as fazën e rikuperimit.

Më shumë se cilido shqetësojnë Alban Meha, Burim Kukeli dhe Migjen Basha. Për vetë specifikën dhe peshën që kanë këta lojtarë në ekipin përfaqësues, të bën të besosh se De Biasi do ta ketë të vështirë për t’u gjetur ekuivalencën.

Kështu, për të zëvendësuar Bashën dhe Kukelin në rolin e shkatërruesit, De Biasi do duhet ose t’i besojë një lojtari me eksperiencë si Ervin Bulku ose të rrezikojë me Ergys Kaçen dhe Amir Abrashin. Mesfushori i PAOK-ut me shumë gjasa do të jetë pjesë e formacionit titullar (përjashto ndonjë problematikë të ditëve në vijim), teksa pozicioni tjetër do ndahet mes Abrashit dhe Bulkut.

Ndërsa Alban Meha, për vetë karakteristikat që ka, është thuajse unik në rolin e vet dhe në kësi rastesh De Biazi ndoshta do duhet të ndryshojë modul loje.

Eco Higjiena

Pa skuadër

Për të qëndruar te kjo pikë, duhet thënë se në linjën e sulmit, veç Mehës (luan si organizator mes mesfushës dhe sulmit), shqetëson shumë Valdet Rama. Mesfushori i avancuar i Kombëtares ka mbetur pa skuadër dhe nuk ka bërë fare fazë përgatitore.

Kjo do të thotë që, edhe nëse Rama do të arrijë të gjejë një ekip deri në fund të këtij muaji, ai nuk do të jetë në formën e tij më të mirë, pasi ka kohë që nuk stërvitet me një skuadër.

Rama prishi kontratën me Valladolidin në mesin e korrikut, kur kjo skuadër nisi fazën përgatitore dhe që prej atij momenti ka qenë në merkato, por pa mundur që të firmoste. Së fundmi emri i tij është lakuar në disa klube të Serisë A, por çdo gjë ka mbetur thjesht mediatike.

Duhet thënë se vetë De Biazi, në një intervistë të pak kohëve më parë për “Panorama Sport”, pat pohuar se Rama rrezikonte seriozisht Kombëtaren, duke qenë se ishte pa skuadër, paçka se me problematikën që kanë disa mesfushorë, italiani mund të bëjë një përjashtim për këtë lojtar, duke e grumbulluar ndaj Portugalisë.

Në këtë linjë, pra pa skuadër, janë edhe Jurgen Gjasula, si dhe Edgar Çani. Ky i fundit është pjesë e Catanias, por edhe stërvitjen te kjo skuadër e bën veçmas grupit.

Kosova

Problemeve të mësipërme u shtohen edhe dy-tre lojtarë, të cilët kanë shprehur haptazi dëshirë për të qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në të ardhmen, duke injoruar në një farë mënyre Shqipërinë. Bëhet fjalë për Samir Ujkanin dhe Loret Sadikun. Ndërsa Ilir Berisha, me gjasa, nuk do të grumbullohet. Ai sapo është kthyer nga një dëmtim dhe nuk luan prej kohësh te skuadra e tij Orebro, në kampionatin suedez.