Azemi mbetet në Furth
Ilir Azemi përfundimisht do të qëndrojë aty ku e ka filluar edhe karrierën e tij si futbollist profesionist, tek skuadra nga Bundesliga 2, Greuther Furth. Edhe pse në adresë të tij erdhën shumë oferta të mira nga skuadrat elitare të Gjermanisë, për këtë gjë nuk deshën të dëgjojnë fare krerët e klubit të Greuther Furthit, të cilët i refuzuan milionat për ta mbajtur Azemin.
Lajmin për qëndrimin e tij në klub e ka konfirmuar vetë lojtari në një prononcim për gazetën Arena, duke shtuar se nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi nuk u lejua në asnjë mënyrë të largohet.
“Po, kam vendosur të qëndroj tek Furth. Nuk kisha asnjë zgjidhje tjetër për t’u larguar dhe në fund vendosa të qëndroj këtu ku ia kam filluar karrierës”, deklaroi fillimisht Azemi.
22-vjeçari ishte i kërkuar nga shumë skuadra të njohura gjermane, si Hannover 96, Hamburg, Augsburg dhe Eintracht Frankfurt, por në fund klubi i tij refuzoi të gjitha ofertat për ta mbajtur atë. “Skuadrat që shprehën interesim për mua janë lodhur nga refuzimet që ia bënte Furth dhe janë tërhequr. Menaxheri im mbetet në kontakt me to, dhe do ta shikojmë në fund të stinorit se çfarë do të bëjmë. Gjithsesi tani do të mundohem të shënoj sa më shumë”, tha Azemi…(Tribuna – Arena).


