Hamdi Salihi refuzon ofertën 150 mijë euro të qipriotëve
Hamdi Salihi ka marrë një ofertë prej 150 mijë eurosh nga klubi i AEL Limasolit në Qipro, por u ka thënë jo ishullorëve. Lajmin e konfirmojnë mediat lokale, sipas të cilave klubi qipriot i ka vënë në “pjatë” 130 mijë euro Salihit dhe bashkë me bonuset shuma shkon 150 mijë.
Ndërmjetësimin mes palëve është duke e bërë menaxheri Kostandin Grillo, i cili është edhe përfaqësuesi zyrtar i klubit të AEL-it. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka pohuar se ka marrë një ofertë, por nuk është bindur prej saj.
Hamdi, a është e vërtetë se keni marrë një ofertë prej 150 mijë eurosh nga nënkampionët e Qipros, AEL Limasoli?
Nuk kam dëshirë të flas me terma financiarë, por është e vërtetë se më kanë bërë një ofertë.
Ju çfarë do të bëni?
Të them të drejtën, oferta nuk më është dukur e kënaqshme. Ata (qipriotët) deklaruan se kanë bërë një sforco shumë të madhe dhe se ky është maksimumi, por mua nuk më duket kështu.
Gjithsesi, nga HAPOEL Akre tek AEL Limasoli ka një ndryshim edhe sa i përket standardeve… Qipriotët luajnë në Champions…
Po, e vërtetë është. Mendoj se AEL-i është një skuadër me traditë dhe me potencial të madh. Mendoj se ka edhe një nivel tjetër, por gjithsesi unë kam planet e mia. Kam një kontratë me Hapoel Akren këtu në Izrael, e cila më mban të lidhur edhe për një vit tjetër. Jam shumë i kënaqur nga ambienti dhe nga mënyra se si po shkojnë gjërat këtu. Do të lëvizja nga ky ekip vetëm për ndonjë ofertë shumë më të mirë. Nuk e kam fjalën vetëm për ofertën që ka ardhur nga Qipro, por për çdo skuadër tjetër që interesohet për mua. Duhet një arsye e fortë që të lë këtë ekip.
Do të thotë se përgjigjja juaj përfundimtare është “jo”?
Në futboll nuk ka asnjëherë gjëra të prera me thikë, por me këtë ofertë, është e sigurt që nuk largohem.
Si është atmosfera në Izrael? Nga lajmet dëgjojmë se është tensionuar shumë situata me Gazën?
Në fakt, edhe unë nga lajmet i shoh këto, sepse tani që po flasim ndodhem në Jerusalem me familjen dhe nuk ka kurrfarë problemi. Gjithçka është normale dhe nuk ka fare atmosferë tensioni, apo lufte siç mund ta cilësojnë media të ndryshme.
Nuk të shqetëson fakti se situata mund të përshkallëzohet?
Jo, nuk mendoj se do të ndodhë kështu. Gjykoj që situata është e fryrë disi, por gjithsesi nuk jam shumë i interesuar, më intereson më shumë futbolli.
A ndiheni nën presion për faktin që edicionin e ardhshëm projektorët do të bien mbi ju në Kombëtare, duke qenë se nuk keni më në krah Bogdanin?
Shikoni, unë kam luajtur prej disa edicionesh shumicën e ndeshjeve. Kam aq eksperiencë sa për të përballuar si duhet presionin në të tilla kompeticione. Por duhet të kuptojmë se Shqipëria nuk e ka luksin t’i varë shpresat te një lojtar. As te Salihi dhe as te dikush tjetër.
Po nuk funksionuam si skuadër, do të jetë shumë e vështirë të bëjmë gjëra të mira. Si është gjendja juaj momentalisht?
Shumë mirë. Faza përgatitore në Bullgari me ekipin shkoi shumë mirë dhe gjykoj se jam gati për një sezon pozitiv. Në futboll duhet edhe pak fat, ndaj unë uroj vetëm të mos kem probleme fizike në të ardhmen.


