FIDANISHTJA

Qasje kritike dhe opinione këshilldhënëse

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Nazmi Misini – Dy ligjëruesit e rinj në Fakultetin Juridik përkatësisht Ekonomik, të dy magjistër të shkencave, Flamur Hyseni dhe Burim Haliti, për 6 vjet radhazi, përveç që ligjërojnë, edhe vrojtojnë, analizojnë, kritikojnë dhe u bëjnë sugjerime profesionale qeveritarëve lidhur me çështjet më sfiduese të realitetit politik, ekonomik, ligjor, financiar dhe social në Kosovë dhe në qeverisjen e Gjilanit.

Të dy së bashku, kanë nxjerrë tashmë në dritë librin “Opinione” (në dy pjesë) dhe u premtojnë lexuesve, por më shumë edhe qeveritarëve në nivelin qendror dhe lokal, se do të vazhdojnë të përcjellin në mënyrë kritike, me sy të mprehtë prej analistësh dhe me profesionalizëm që nuk iu mungon, të gjitha dukuritë dhe fenomenet, qofshin të sferës qeverisëse ose në fushën e arsimit, të sundimit të ligjit, të gjendjes sociale apo edhe të papërgjegjësive në qeverisje, e të cilat reflektojnë me gjendje jonormale ose të rënda për qytetarët dhe demokracinë e Kosovës.

Opinionet e autorëve nuk janë thjesht mendime dhe artikuj gazetareskë, sado që janë botuar më parë thuaja të gjitha në shtypin ditor dhe revial. Më parë se “opinione”, shkrimet e dy autorëve gjilanas, do të mundë të quheshin trajtesa dhe analiza me një pedigre të qëndrueshme dhe të nevojshme shkencore, sepse këto punime nuk janë thjesht spikatje sipërfaqësore e dukurive dhe sfidave në shtetformimin e Kosovës, ose shkrime për aspekte ligjore e qeverisëse.

Ato janë kritika me argumente, duke i shtjelluar dukuritë nga aspekti profesional dhe shkencor, aspekte këto që Flamur Hysenit dhe Burim Halitit aspak nuk iu mungojnë. Ata kritikojnë, vënë në spikamë dukuri e të meta në qeverisje, në zbatimin e ligjit, në qeverisjen lokale të dobët, në fushën e arsimit, në nevojën për reformim të sistemit ligjor e përplot të tjera fusha.

Libri i parë “Opinione I”, që përfshin një periudhë 4-vjeçare të vrojtimit dhe analizës së problemeve dhe sfidave në shoqëri dhe në sistemin tonë të demokracisë parlamentare, (2008- 2012) nis, ta zëmë, me sfidat e funksionimit të qeverisjes lokale në Kosovë në aspektin financiar dhe administrativ, ku spikatet nevoja që të zbatohet ligji për qeverisjen lokale, sepse ai është shumë i qartë, por në praktikë, argumentojnë autorët, ligji shpesh lihet anash dhe veprohet sipas një inercioni të pakuptueshëm, ndaj kjo qeverisje lokale e tillë, sjell pastaj pasoja në jetën e qytetarëve dhe në ofrimin e shërbimeve.

Te një analizë tjetër e Flamur Hysenit, në librin e parë të “Opinione”, ta zëmë, janë spikatur sfidat e shtetndërtimit sipas këtij rendi: sundimi i ligjit, forcimi i shtetit ligjor, gjyqësori i pavarur, demokratizimi i partive politike, zhvillimi ekonomik, anëtarësimi në OKB dhe institucione ndërkombëtare, ndërkaq më tutje, në një analizë tjetër, Hyseni e kritikon ashpër dhe me argumente tentativën për ta imponuar një Ahtisari Plus.

Mobi Casa

Në kapitullin e tretë të “Opinione I”, nga ana tjetër, është teksti hyrës i Burim Halitit në temën “Kosova –kriza ndërkombëtare dhe trazirat sociale”, në të cilën autori tërheq vërejtjen se kriza botërore ekonomike mund t’i godasë më rëndë vendet dhe shtetet e reja, të cilat “e kanë shumë vështirë ta kalojnë këtë periudhë pa humbje ekonomike”, sepse ekonomia jonë, thotë Haliti, nuk mund të stimulohet nga grantet e ndryshme qeveritare, buxheti i Kosovës është tejet i limituar dhe ai mjafton vetëm për financimet publike”.

Autori e gjen fajtore qeverinë për varfërinë ekstreme në Kosovë dhe thotë se ajo asgjë nuk po bën sa u përket reformave ekonomike dhe sidomos atyre fiskale dhe financiare. Ai nuk e përjashton mundësinë e trazirave sociale po qe se kjo gjendje vazhdon.

Tek libri tjetër “Opinione II”, i cili para pak ditësh është promovuar në Universitetin Publik të Gjilanit, autorët sjellin analizat e tyre për të njëjtat aspekte të ligjshmërisë në Kosovë, të politikës, të gjendjes ekonomike, financiare dhe të tjera, në një periudhë kohore të mëvonshme dyvjeçare (2012 -2014).

Libri ka po kështu 3 kapituj dhe nis me mendimin argumentues në analizën e Flamur Hysenit për një freskim në strukturën qeverisëse të Gjilanit, pastaj më vonë numërohen në mënyrë taksative gabimet e radhës në qeverisjen e Gjilanit, vazhdohet me reformat në arsim në këtë komunë që duhet të jenë, thotë Hyseni, në harmoni me standardet juridike vendore dhe ndërkombëtare, e që nuk janë, ai e prek Marrëveshjen Kosovë-Serbi, dhe dyshon fare nëse kjo është marrëveshje e normalizimit, apo një marrëveshje që plotëson, në formë kushtesh, kërkesat e faktorit ndërkombëtar dhe të Serbisë. Por, thotë Hyseni:

“Kjo marrëveshje nuk është në kundërshtim me Kushtetutën aktuale, por mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën tonë ideale”.

Dy librat e këtyre dy autorëve të rinj dhe shumë ambiciozë, kur të lexohen dhe kur të analizohen mirë, sidomos nga ata që janë në pushtetet lokale dhe në pushtetet në nivel vendi, do të shihet se janë analiza shumë të thukëta dhe argumentuese, me një dozë kritike plotësisht të argumentuar dhe me vend, por, nga ana tjetër, autorët shkojnë edhe më tej konstatimeve dhe konkluzioneve analitike të tyre: ata sugjerojnë zgjidhje, trasojnë teorikisht rrugë, analizojnë dhe interpretojnë ligje, krahasojnë situata dhe ftojnë pushtetet që të përkujdesen më shumë dhe më mirë që të zbatojnë ligjet./zeri/