FIDANISHTJA

Vijnë në shqip edhe katër tituj të rinj

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Bibliotekat tona do të pasurohen edhe me katër tituj të rinj. Në shqip vijnë të përkthyer librat “Lufta kundër terrorizmit”, “Mesdheu”, “Telashe dashurie” dhe një histori shqiptare “Djalli që pagova për këshillë”.

Dhjetë strategji kundër terrorizmit

Një libër i hartuar nga një ekip i përbërë nga disa prej ekspertëve më në zë të luftës kundër terrorizmit. Një libër sa interesant aq dhe aktual, që ndihmon të kuptosh më mirë një nga dukuritë më shqetësuese që kërcënon sot paqen në botë. Libri i prezantohet lexuesit me një parathënie nga R. James Woolsei, ish-drejtor i CIA-s. Në libër shtjellohen strategjitë e dhjetë vendeve në luftën kundër terrorizmit.
Titulli: Lufta kundër terrorizmit (Studim)
Autor: Yonah Alaexander
Përktheu: Stavri Pone
Shtëpia botuese: IDK

Mesdheu në një shikim global

Fernand Braudel, në bashkëpunim me një tjetër historian të shquar, Georges Duby, si dhe disa studiues të njohur të disiplinave të ndryshme si Roger Arnaldez, Maurice Aymard, Filippo Coarelli, Jean Gaudemet, Piergiorgio Solinas, ka realizuar këtë afresk të shkëlqyer mbi Mesdheun, të kuptuar si hapësirë, si vend gjeografik dhe sidomos si djep i qytetërimeve të mëdha, ku për shekuj me radhë historia e njerëzimit ka shkruar disa faqe të saj më emocionuese. Pra, një Mesdhe i parë në një shikim global, përtej kohës, duke nxjerrë në pah, herë pas here, aspekte gjeologjike dhe natyrore të tokës, rëndësinë dhe funksionet e detit, historinë e qytetërimeve hegjemoniste si ai i Romës, natyrën shpirtërore dhe besimet e popujve, zhvillimin e konceptit të familjes, lëvizjes migruese dhe trashëgiminë e së shkuarës mbi botën tonë të sotme.
Titulli: Mesdheu (Studim)
Autor: Fernand Braudel
Përktheu: Mirela Kumbaro
Shtëpia botuese: IDK

Rendja pas dashurisë ideale dhe lumturisë nuk ka fund kurrë

Mobi Casa

Sa gjasa ka që, një i panjohur, ulur pranë teje në avion, të jetë e shkruar të të ndryshojë jetën? Sidomos kur duket se tjetri është krejt e kundërta jote, në çdo drejtim.

Xhoi është një optimiste e pashoqe, në kërkim të shpirtit binjak te çdo burrë që takon. Ajo kërkon të ndalojë dasmën e ish të dashurit të saj, duke ndjekur një të kaluar që duket më e bukur se e ardhmja; Dini po merr arratinë nga e shkuara e tij: një fëmijëri e dhimbshme dhe një baba që po vdes, të cilin s’e ka njohur kurrë. Ai është një cinik i vendosur, përvojat e hidhura të jetës e kanë mësuar të mos i zërë besë askujt.

Njerëzit mund të të befasojnë. Për aq kohë sa zgjat fluturimi nga Londra në Çikago secili prej tyre zbulon te tjetri diçka që as e dinin se ia kishin nevojën.
Për shkak të të shkuarave vetjake, ata s’do të jenë kurrë të lumtur bashkë, por në çastin që zbresin nga avioni fillon udhëtimi i tyre i vërtetë…
Titulli: Telashe dashurie (Roman)
Autor: Adele Parks
Përktheu: Arsida Mezuraj
Shtëpia Botuese: Pegi

Një histori shqiptare

Kur diçka mrekullisht tronditëse ndodhi në jetën e Sabrinës, u duk sikur dashuria dhe xhelozia për Tomin filluan të thërrmoheshin brenda saj. Psikoterapistja më e mirë e Tiranës u mbërthye nga euforia. Askush dhe asgjë s’e frenonte dot më. Tani ajo do t’i zgjidhte klientët nga paria e vendit. Do ta vinte kryeministrin në fron e do ta shikonte si përpëlitej në pazotësinë e tij për t’i shtypur fantazmat brenda vetes. Ajo do t’i shndërronte fantazmat e tij në skllevërit e saj dhe pastaj do të luante me to. Ndoshta ai do të qante. Ndoshta do t’i lutej asaj. Ndoshta truprojat e kryeministrit do ta vrisnin Sabrinën, se ajo kish mësuar sekretet e tij.

Dhe Tomi? Oh, i mjeri Tom! Ai nuk do ta linte kurrë po ta dinte çfarë kishte ndodhur. Ikja e tij e bëri Sabrinën më të hidhur, më sarkastike, më djallëzore. Hakmarrja e saj ndaj Tomit – asgjë tjetër veçse perfeksion.
Nuk ka burrë në botë që do të donte të përjetonte atë që përjetoi Tomi.
Titulli: Djalli që pagova për këshillë (Roman)
Autor: Jeta Vojkollari
Shtëpia Botuese: Dudaj./kultplus/