UBT

Mustafi, shqiptari i shtatë i Botërorit

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Shkodran Mustafi do të merr pjesë në Kampionatin Botëror “Brazili 2014”. Futbollisti shqiptar është ftuar nga Kombëtarja e Gjermanisë, pak para udhëtimit të saj drejt Brazilit.

Siç dihet, mbrojtësi i Sampdorias ishte pjesë e skuadrës së gjerë gjermane, por përzgjedhësi gjerman fillimisht nuk e kishte inkuadruar në listën përfundimtare. Mirëpo, krejt në fund, Joachim Low është detyruar ta ftojë futbollistin nga Maqedonia, për ta zëvendësuar Marco Reus. Ylli gjerman u lëndua në fitoren prej 6:1 ndaj Mainzit dhe ishte dërguar në spital.

Nga ky dëmtim i mesfushorit të Dortmundit përfitoi mbrojtësi shqiptar, i cili menjëherë u ftua nga Joachim Low.

“Shkodrani na ka impresionuar gjatë ushtrimeve. Ne kemi besim te ai, pasi shihet se është në formë. Te ai ne mund të llogarisim shumë”, ka thënë Low.

Në këtë mënyrë, numri i shqiptarëve, që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror “Brazili 2014” u shtua në shtatë.
Derisa Mustafi do t’i mbrojë ngjyrat e Gjermanisë, Adnan Januzaj do ta bartë fanellën e Belgjikës në ngjarjen më të madhe të futbollit.

UBT

Ndërkohë, Kombëtarja e Zvicrës tashmë ka mbërritur në Brazil edhe atë në kontingjentin e saj i ka përfshirë pesë futbollistë shqiptarë. Fjala është për: Xherdan Shaqirin, Admir Mehmedin, Blerim Xhemailin, Valon Behramin e Granit Xhakën.

Edhe pse Shqipëria apo Kosova nuk do të jenë pjesë e kësaj ngjarje, shqiptarët sadopak do të përfaqësohen në Botëror nga shtatë futbollistët e lartpërmendur.

Sigurisht, zemrat e tyre në Brazil do të rrahin edhe shqip. Këtë e konfirmon edhe vendosmëria e Granit Xhakës, i cili para pak ditësh i kishte thënë “Zërit” se do ta merr me vete në Brazil flamurin e Kosovës.

“Po, sigurisht. Do ta marrë me vete në Botëror flamurin e Kosovës”, kishte thënë Xhaka. “Më vjen shumë mirë që do të luajmë së bashku me Shaqirin, Xhemailin, Mehmedin e Behramin. Besoj se pjesëmarrja jonë në Botëror do t’i kënaqë të gjithë shqiptarët, sepse ne do ta përfaqësojmë gjithë kombin shqiptar në Botëror”, ka deklaruar Xhaka./zeri/