Mustafi beson se Low do ta ftojë në Botëror
Shkodran Mustafi është optimist se selektori i Gjermanisë, Joachim Low do ta përfshijë në mesin e 23 futbollistëve që do të udhëtojnë në Kampionatin botëror, i cili mbahet në muajin e ardhshëm në Brazil.
Shkodran Mustafi ende nuk e ka të sigurt nëse do të jetë pjesë e Gjermanisë në Kampionatin botëror, i cili mbahet në muajin e ardhshëm në Brazil.
Ai është grumbulluar me përfaqësuesen gjermane, derisa selektori Joachim Low, të dielën pritet ta publikoj listën prej 23 emrave që do ta përfaqësojnë këtë vend në ‘Brazili 2014’.
Deri më tani, Low ka larguar katër lojtarë, derisa pritet t’i heq edhe tre të tjerë. Kurse, mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi shpreson nuk do të largohet nga skuadra.
“Jam optimist se do të jem dhe në listën përfundimtare për Kupën e Botës. A jam i kënaqur me paraqitjen time ndaj Polonisë? Kam mbetur i kënaqur nga pjesa e parë e ndeshjes. Në pushim e sfidës i ndjeja pak të lodhura këmbët, pasi kisha luajtur dhe të dielën ndaj Napolit”, ka deklaruar Mustafi për mediat gjermane.
“Shpresoj të kuptoj së shpejti se çfarë kërkon Low nga mbrojtësit më pas më takon mua ta bind me paraqitjet e mia. Është e vështirë të bësh një parashikim, por një gjë është e qartë: Dëshiroj të shkoj në Brazil.”, theksoi mbrojtësi i Sampdorias.
Deri më tani në Botëror është e sigurtë pjesëmarrja e Adnan Januzajt (Belgjikë), Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, Valon Behramit, Blerim Xhemajlit dhe Admir Mhmedit (Zvicra).


