ARKATANA

Po punojmë për t’i fituar zgjedhjet

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, është shprehur skeptik se zgjedhjet e 8 qershorit do të organizohen si duhet. Sipas tij, afati i shkurtër kohor mund të ndikojë në rritjen e manipulimit me vota.

“Nuk dua të paragjykoj, por zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 kanë dëshmuar për një manipulim ekstrem të vullnetit të elektoratit. Edhe tash ka rrezik nëse nuk ka mobilizim dhe ndërgjegjësim që e njëjta gjë të përsëritet, pasi nuk kanë arritur që të eliminohen defektet që kanë qenë me ligjin zgjedhor, por edhe afati i shkurtë kohor lë të kuptohet se përgatitja e zgjedhjeve nuk mund të bëhet si duhet”, ka thënë Makolli në një intervistë për gazetën Tribuna.

Sipas tij, AKR-ja ka filluar mobilizimin për t’i fituar si e vetme zgjedhjet. Makolli është shprehur i habitur se si partitë me të mëdha në vend, kanë pranuar të shkojnë në zgjedhje, pa përfunduar reforma zgjedhore.

Tribuna: Jeni deklaruar kundër mbajtjes së zgjedhjeve në muajin qershor. Pse ky kundërshtim?
Makolli: AKR asnjëherë nuk ka qenë kundër zgjedhjeve. Jemi deklaruar shumë herë që mundësia e vetme për të dalë nga një gjendje e bllokuar në Kuvendin e Kosovës, janë zgjedhjet. Por kemi qenë kundër për shkak të kohës së shkurtë të mbajtjes së zgjedhjeve.
Jo për shkak se na takon vetëm neve, por për shkak se kemi vlerësuar se është krejtësisht e pamundur të organizohen zgjedhjet të lira të drejta dhe fer në një periudhë kohore prej 30 ditësh, kjo ishte e para. Ndërsa e dyta, kemi bërë përpjekje për tri vite që të ndryshojë ligji zgjedhor, dhe kemi kërkuar që reforma zgjedhore të kalojë dhe zgjedhjet të bëhen me ligj të ri. Po ashtu kemi pasur parasysh afatin e shkurtër kohor për aplikime për votim të shtetasve kosovarë që jetojnë jashtë vendit. Ne kemi pretenduar dhe kemi besuar se në zgjedhjet parlamentare jo vetëm që do ta ruajmë kualitetin dhe standardin që kemi pasur në zgjedhjet lokale të vitit 2013, por kemi besuar se do të avancohet kjo. Tash jemi shumë skeptikë me mundësinë e organizimit teknik të zgjedhjeve në përudhë brenda 30 ditësh. Ne mund t’i anashkalojmë disa defekte, por jemi të vetëdijshëm se çfarë zgjedhje mund të organizohen brenda 30 ditësh. Këto kanë qenë shqetësimet tona të cilat i kemi shfaqur dhe kemi konsideruar se ndoshta më mirë është që të shtyhen për një apo dy muaj dhe të fitojmë një proces të besueshëm afatgjatë sesa t’i mbajmë para një apo dy muajsh dhe pastaj të prodhojë pasoja në të ardhmen. Përndryshe, AKR asnjëherë nuk ka qenë kundër zgjedhjeve.

Tribuna: A mendoni se dikujt i ka konvenuar që qershori të jetë datë e zgjedhjeve?
Makolli: Ne kemi qenë të vetëdijshëm që një kohë të gjatë se Kuvendi është i bllokuar dhe sidomos muajt e fundit ka qenë krejtësisht e pamundur të këtë një veprim të drejt. Me vetë faktin se nuk arritën të kalojnë Forcat e Armatosura të Kosovës, ka dëshmuar se ky Kuvend ka qenë i paaftë në kryerjen e detyrave të veta dhe u patën krijuar kushtet që të përfundojë si i tillë. Mirëpo, ne kemi kërkuar që të këtë një afat më të gjatë kohor, në mënyrë që zgjedhjet të përgatiten më mirë. Dhe përgatitja e zgjedhjeve më mirë nuk shkon në të mirë të vetë partive politike, por në funksion të vendit.

Hidromorava

Tribuna: Sa prisni zgjedhje të rregullta kur dihet se për organizimin e tyre është një afat shumë i shkurtë?
Makolli: Nuk dua të paragjykoj, por zgjedhjet parlamentare të vitit kanë dëshmuar për një manipulim ekstrem të vullnetit të elektoratit. Edhe tash ka rrezik nëse nuk ka mobilizim dhe ndërgjegjësim që e njëjta gjë të përsëritet, pasi nuk kanë arritur që të eliminohen defektet që kanë qenë me ligjin zgjedhor, por edhe afati i shkurtë kohore lë të kuptohet se përgatitja e zgjedhjeve nuk mund të bëhet si duhet. Për të parandaluar mundësinë e keqpërdorimit, ne i kemi propozuar KQZ-së që numërimi i votave të bëhet duke krijuar qendra të numërimit në gjashtë apo shtat qendra në Kosovë, ku mundësia e manipulimit do të ishte më e vogël.

Tribuna: E përmendët, zgjedhjet parlamentare po mbahen pa reformë zgjedhore. Sa do të ndikojë kjo në procesin e zgjedhjeve?
Makolli: Pa dyshim që do të ndikojë. Pastaj të gjitha subjektet politike që kanë kontribuar në një apo tjetër formë që mos të shkohet në zgjedhje me ligjin e ri zgjedhor, e humbin të drejtën të ankimimit me ligj zgjedhor. Është krejtësisht e pakuptueshme që partitë politike të cilat kanë pasur vërejtje dhe kritika ndaj ligjit në atë kohë, tash të pranojnë dhe të hyjnë me këtë ligj në zgjedhjet, atëherë shtrohet pyetja, si para katër vjetësh ai ligj nuk ishte i mirë, ndërsa tash është i mirë.

Tribuna: Sa është e përgatitur AKR-ja për këto zgjedhje?
Makolli: Partitë politike duhet të jenë të përgatitura sikur çdo ditë duhet të mbajnë zgjedhje. Ne po jetojmë në demokraci parlamentare ku mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve është e përditshme. Në këtë aspekt të gjitha partitë politike i kanë filluar përgatitjet, edhe AKR-ja i filluar përgatitjet dhe do t’iu qaste këtyre zgjedhjeve me besimin më të madh që do të kemi një përkrahje të madhe të elektoratit.

Tribuna: A do të hyni të vetëm në zgjedhje apo do të bëni ndonjë koalicion parazgjedhor?
Makolli: Nuk kemi biseduar asnjëherë për mundësinë e të qenit pjesë e ndonjë koalicioni parazgjedhor, por të gjitha bisedat që janë bërë në AKR, kanë qenë që ne si subjekt politik të hyjmë si të vetëm në zgjedhje.

Tribuna: Ku e shihni AKR-në pas zgjedhjeve?
Makolli: Po punojmë që t’i fitojmë zgjedhjet. Kur e them këtë, kam parasysh që forca politike të rritet dhe të jetë në pajtim me vetë nivelin që besojmë se duhet të këtë dhe që e ka në praktikë.