Muzika tallava dhe politika
Nga Arton Musliu – Muzika tallava njihet si refren stereotip i një melodie e cila dihet se kur fillon, por nuk dihet se kur përfundon. T’paktën nga ata që e dëgjojnë. Mbase ai i cili këndon këtë lloj muzike mund ta din fundin e saj. Por kjo mbase s`ka rëndësi. Relevant është motivi i cili çon deri te kjo lloj muzike. E ky motiv padyshim është përfitimi personal, e në disa raste gruporë, i këngëtarit.
Fatkeqësisht e njëjta gjë është duke ndodhë edhe në politikë. Vetëm se për dallim nga muzika tallava ku këngëtari i përshtatet kërkesave të audiencës shkaku i përfitimit material, ku në të njëjtën kohë bëhet edhe më i popullarizuar, në politikë këngëtarët (politikanët) ‚ këndojnë‘- punojnë përveç se për interesa personale edhe për rritjen e ndikimit të tyre në shoqëri, respektivisht vendimmarrje. E përbashkëta e këngëtarit dhe politikanit sot është ngarendja për të zënë sa më shumë pika. Sa më shumë pozicione.
Këngëtari është shumë i angazhuar se si të rezervoi sa më shumë dasma, derisa politikani është i preokupuar se si t`i shtinë hundët nëpër secilin organizim. Një kritik objektiv mund të thotë se të dy këto aktivitete janë legjitime. Madje ashtu edhe është. Mirëpo shtrohet pyetja se sa i ndihmojmë shoqërisë me këso lloj angazhimesh të cilat fundi i fundit nuk bazohen në vlera të shëndosha shoqërore por në lakmi për para dhe pushtet.
Në dimensionin politik tendenca e politikanit për performancën dhe aktualitetin e tij shpeshherë është kontraproduktive. Sikurse në muzikë tallava. Sepse edhe këngëtari që këndon tallava edhe politikani që bën politik tallava thonë diçka duke mos thënë asgjë. Thonë diçka duke ia fut kot. E mbase thonë diçka që është në kundërshtim flagrant me konceptin politik (vlerat e muzikës) që e përfaqëson. Në planin praktik kjo me të vërtetë është për keqardhje. Përfaqësimi politik i qytetarëve për mendimin tim është joadekuat, jopolitik e hiç profesional. Përfaqësimi politik në Viti përnjëmend është tallava. U bën gati 4 muaj të fillimit të pushtetit të ri në Viti dhe pothuajse të gjitha partitë politike janë inekzistente. Aktiviteti i tyre i mangët në shërbim të ofrimit të politikave cilësore qytetarit të komunës së Vitisë i servon një sintezë politike mjeruese.
Analiza e kësaj sinteze na tregon për një PDK e cila është në kërkim të një identiteti të ri politik. Kjo parti, së cilës i takoj edhe unë, nuk është aspak proaktive në kuptimin e një opozite serioze në Viti. AAK si gjithmonë kurrë nuk ka qenë e gatshme për ta ngritë zërin. Derisa VV përmes një komunikate diletante për medie akuzoi Kryetarin aktual se po i bën konferencat për medie pa simbolet shtetërore. Kjo mbase mund të tingëlloi interesante por është e vërtetë. VV, e cila jo që nuk i ka njohur simbolet shtetërore të Kosovës, por i ka luftuar ato, kërkon nga institucionet komunale që t`i përdorin ato. Çudi apo jo?
Kjo ndodh kur liderët emërohen nga lartë e kurrë nuk zgjedhën nga poshtë. Nuk është mençuri e as trimëri të thuhet se kryetarët e 4 subjekteve më të mëdha në Viti nuk janë kryetarë të zgjedhur nga poshtë, nga baza, nga strukturat e partiake, por janë të emëruar nga lartë, nga kryetarët e partive politike respektive në nivel qendrorë. Për rrjedhojë kemi demagogji politike, politika diletante, performancë inekzistente, mungesë të alternativës e çka jo tjetër. Kjo është tallava politika jonë.


