Borxhet që do të falen
Nga Ibrahim Rexhepi – Ka mundësi që të falen edhe 400 milionë euro sa janë borxhet e konsumatorëve ndaj KEK-ut. Mirëpo, jo edhe aq shpejtë.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve të vjetra për energjinë elektrike të shpenzuar pa dyshim se ka gëzuar 200 mijë kosovarë nga 50 mijë familje me probleme sociale. Kjo është qasje e drejtë ndaj këtij problemi, posaçërisht kur kemi parasysh pamundësinë që këto familje të shlyejnë borxhin. Në të njëjtën kohë qeveria ka përmbushur një obligim ligjor që ka ndaj kësaj kategorie- t’ua heq shpenzimet për energji elektrike, deri në një masë të caktuar, ndërsa Korporatës Energjetike të Kosovës këtë ia ka kompensuar përmes subvencionimit të importit të energjisë elektrike. Prandaj, edhe tani ky borxh evidentohet në librat e KEK-ut, përkatësisht të Qeverisë së Kosovës, si aksionare e vetme, e jo në ato të KEDS-it.
Nëse analizohen ecuritë aktuale, ka mundësi që fatin e njëjtë ta kenë edhe rreth 400 milionë euro sa janë borxhet e përgjithshme të konsumatorëve ndaj KEK-ut. Por, një falje e mundshme nuk mund të ndodhë shpejtë. Duhet pritur edhe pak për të analizuar se a është e mundshme që këto para të futen në arkën e KEK-ut dhe a mund të bëhet arkëtimi i dhunshëm, përkatësisht përmes gjykatave. Të gjitha alternativat do të japin një rezultat- do të jetë shumë e vështirë që konsumatorët t’i shlyejnë këto fatura.
Arsyet janë të shumta
E para, ky borxh nuk është shitur së bashku me distribucionin, ka qenë subjekt i marrëveshjes me KEDS-in, që ai të mbledh borxhin dhe nga kjo përfton një shumë goxha të madhe të parasë. Furnizuesi , sado që është i interesuar të arkëtojë ndonjë cent nga energjia për të cilën nuk ka pasur asnjë shpenzim, nuk ka leverdi që në emër të borxheve të vjetra të rrezikojë raportet me konsumatorët, përkatësisht pagesën energjisë elektrike që aktualisht shpenzohet. KEDS-i nuk po lejon që konsumatori të grumbullojë faturat dhe të rritë borxhin- pas dy muajsh mospagese, pason shkyçja. Ndërkaq, për borxhet e vjetra nuk ka ndëshkim. Kjo tregon se ai është i interesuar të nxjerr paranë për të cilën ka bërë shpenzime, kurse për të tjerat, bënë aq sa mundet, meqenëse nuk e ka në përgjegjësi që të arkëtoj krejt borxhin vjetër.
E dyta, gati çerekun e këtij borxhi e kanë konsumatorët në pjesën veriore të Kosovë dhe në enklavat e tjera. Për këtë problem nuk ka ndonjë marrëveshje se si ai mund të tejkalohet dhe nuk mjafton vetëm të thuhet se operatorit të distribuimit të energjisë elektrike do t’i mundësohet qasje në këtë pjesë të vendit. Madje, një vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë, ende këtu operon një kompani serbe, e cila ka nën kontroll tregun. Tek e fundit, nuk kanë qenë të rralla kërkesat që serbët të mos ia paguajnë energjinë elektrike KEK-ut. Pra, ky nuk është vetëm problem ligjor, por edhe politik.
E treta, janë të stërmbushura me lëndë të pazgjidhura, ku pa dyshim se nuk është i vogël as numri i padive që KEK-u ua ka bërë konsumatorëve. Për nga pesha dhe ndjeshmëria, pa dyshim se ato nuk janë me prioritet të lartë. Pra, mund të presin. Mirëpo, edhe nëse ato marrin formën përfundimtare, pra kontestin e fiton KEK-u, s do të bëhet ekzekutimi i tyre? KEDS do të kundërshtoj që konsumatorët të shkyçe nga rrjeti për shkak të obligimeve të mëhershme, meqenëse ai dëshiron të shet sa më shumë energji elektrike. Si alternativë e fundit mbetet që çështja të zgjidhet përmes përmbarimit. Por, sa do të dobësohet potenciali financiar i kosovarëve kur prej xhepit të tyre merren 400 milionë euro? Kjo, pa dyshim se do të kishte efekte negative në konsum, por edhe do të rrezikonte përmbushjen e detyrimeve të tjera, qoftë ndaj taksave e tatimeve, ashtu edhe për shërbimet publike.
E katërta, meqenëse në 10-15 vitet e fundit gjendja në terren vazhdimisht ka ndryshuar, KEK-u do ta ketë vështirë të gjej të gjithë konsumatorët borxhlinj, qoftë nga biznesi, apo nga amvisëria. Disa biznese janë shuar, disa shtëpi janë rrënuar pa bërë fare çregjistrimin e njehsorit, disa bartës të këtij borxhi ndoshta fare nuk janë më në Kosovë.
Krejt kjo dëshmon se sa vështirë do të jetë me borxhet e vjetra. Pra, më mirë është që edhe njëherë të niset nga zero. Por, tash, pa hile.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


