Visar Ymeri: AAK është në shërbim të Qeverisë dhe PDK’së
Nisma e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë po shkon drejt dështimit. Ndërkohë, partitë opozitare po dyshojnë se Ramush Haradinaj e ka seriozisht idenë për ta rrëzuar Qeverinë. Visar Ymeri i Vetëvendosjes thotë se nisma e AAK’së është e pabesueshme pasi deri më tash Ramush Haradinaj ka qenë në shërbim të Qeverisë dhe PDK’së. Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës Visar Imeri thotë se nisma e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë nuk është e sinqertë.
Sipas tij, AAK deri më tash ka qenë në shërbim të Qeverisë dhe PDK’së e tash po kërkon rrëzimin e Qeverisë.
“Ndërkohë, që për sa i përket nismës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ne u kemi thënë atyre disa herë se edhe nuk besojmë në sinqeritetin e tyre si subjekt duke u bazuar në historikun e vonë që ata e kanë në shërbim të qeverisë, por edhe mendojmë se një çështje e tillë duhet të jetë iniciativë e opozitës e jo iniciativë e ndonjë grupi për ku ta di unë për çfarë interesi. Pra në këtë drejtim konsiderojmë se arsyet pse po rrëzohet Qeveria janë shumë më të rëndësishme sesa momenti kur po bëhet ajo”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, deri më tash janë mbi 30 mijë nënshkrimet të mbledhura nga Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk kanë shkuar në adresën e duhur, në Kryesinë e Kuvendit. AAK akuzon LDK-në dhe VV-në për mospërkrahje në rrëzimin e qeverisë, LDK heshtë, ndërsa, VV nuk beson në AAK-në.
Për këtë “dështim” ka një shpjegim shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvend, Ardian Gjini.
Ai thotë se opozita s’ka vullnet për ta rrëzuar Qeverinë.
“Për shkak se nuk po shohim vullnet të dy partitë tjera në opozitë që të procedojnë me shkarkimin të qeverisë, nuk po shohim vullnet që në Kuvend të shkohet me shkarkim të Qeverisë, më tepër ka vullnet të shpërbëhet Kuvendi’, ka thënë Gjini.
“A kanë faj a s`kanë faj e vlerësoni ju, por nuk po e përkrahin mocionin e Aleancës për shkarkim të qeverisë”, ka thënë Gjini për Kosovapress.
Analisti politikë, Ardian Arifaj ka thënë për Kosovapress se partitë opozitare nuk mund të koordinohen mes vete për shkak të përçarjeve të mëdha që kanë.
Arifaj ka thënë se liderët e partive duhet të punojnë më shumë me qytetarët sesa të merren me atë se kush do të jetë kryeministër i ardhshëm, meqë sipas tij, janë votuesit ata që e përcaktojnë një gjë të tillë.
Ndryshe kryetari i AAK Ramush Haradinaj disa herë e ka përsëritur se Qeveria duhet të rrëzohet e jo të shkohet me shpërbërje të Kuvendit, meqë sipas tij duhet të ndëshkohet keqeverisja që ka ndodhur për këto shtatë vite të qeverisë së udhëhequr nga Hashim Thaçi.

