Uji Dea

Kurti: Partneritet me faktorin ndërkombëtar, jo servilizëm apo armiqësi

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Me faktorët ndërkombëtarë duhet ndërtuar marrëdhënie partneriteti dhe aleancash, e jo nënshtrim servil, apo armiqësi të plotë, tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh dhe Kryetari i Komisionit për politikë të jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, para studentëve të kolegjit UBT mbajti ligjëratë me temën “Sa është i (pa)varur është shteti i Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare”.

Gjatë ligjëratës Kurti foli për varësinë legale dhe juridike të shtetit të pavarur të Kosovës nga faktorët ndërkombëtar dhe, në anën tjetër, për varësinë politike dhe konjukturale.

“Nuk ekzistojnë vetëm dy mënyra të marrëdhënies me faktorët ndërkombëtar: nënshtrimi servil dhe armiqësia e plotë. Me faktorët ndërkombëtar duhet ndërtuar marrëdhënie partneriteti dhe aleancash përtej këtyre dy ekstremeve”, theksoi Albini.

Për më tepër, ai theksoi se serviliteti i politikanëve vendas ndaj atyre ndërkombëtarë nuk bëhet për hir të shtetit e të popullit, por ka si motiv interesat e ngushta personale.

Hidromorava

Sipas Kurtit, varësia legale dhe juridike para shpalljes së pavarësisë nga OKB-ja dhe UNMIK-u u zëvendësua me atë nga BE-ja dhe EULEX-i.

Kurti renditi pesë çështjet problematike të këtyre misioneve ndërkombëtare në Kosovën e pasluftës.

“Së pari, mosnjohja dhe mospranimi që ata ia bënë shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së vendit tonë; së dyti, fuqitë e tyre ekzekutive të pakufizuara në kohë dhe në gamën e tyre; së treti, imuniteti nga ndjekja penale e gjithë personelit ndërkombëtar bashkë me familjet e tyre; së katërti, mungesa e llogaridhënies ndaj institucioneve vendëse dhe; së pesti, paradigma e stabilitetit afatshkurtër politik që sakrifikon demokracinë, drejtësinë dhe zhvillimin”, tha ai.

Në përfundim Albin Kurti solli në vëmendje faktin se politika e jashtme e Kosovës është e domosdoshme të marrë një kah tjetër, atë të këmbëngulësisë për interesat e Kosovës dhe të bashkëpunimit bilateral në funksion të këtyre interesave. “Por këtë mund ta realizojë veç një brez i ri, me mendim të qartë dhe dije e përkushtim adekuat”, tha ai. /Telegrafi/