Ramaj: Bilanci ynë për vitin 2016 përkundër problemeve interne ishte pozitiv
Gjilan – Përkundër të gjitha vështirësive dhe problemeve interne të cilat i kishte kompania jonë edhe gjatë vitit 2016 ajo megjithatë u zhvillua më tej dhe ishte në gjendje të realizonte pozitivisht shumë objektiva që kishte të parashtruar, thotë Senad Ramaj.
Ramaj tha se kemi grumbulluar 30.092 ton mbetje urbane nga klientët tanë dhe i kemi deponuar korrektësisht në deponinë sanitare, që do të thotë për 10 % më shumë se në vitin 2015 ndërsa, deponisë i kemi paguar tarifën e paraparë në vlerë prej 180.000 €. 16 automjete të grumbullimit të mbeturinave dhe 163 punëtor kanë qenë në shërbim të klientëve tanë në çdo kohë dhe stinë vjetore.
Për karburante kemi shpenzuar 140.000 € ndërsa, për paga 820.000 € . Në shtator u bë ngritja e pagave mesatarisht për 5%. Për shofer dhe punëtor pat ngritje më të lartë sesa mesatarja. Në Viti në bashkëpunim me Komunën dhe Caritas Kosova- Luxemburg punësuam 10 punëtor sezonal dhe me mbështetjen e banorëve eliminuam deponitë ilegale në vendbanimet e tyre. 5 Fshatra të Vitisë u kyçën në sistem të grumbullimit të mbeturinave.
Në Gjilan, krahas punëve ditore në mirëmbajtje dhe pastrim të trotuareve dhe sipërfaqeve të gjelbruara dhe shtratit të lumit, kemi renovuar ulëset në parqe dhe kemi reparuar pajisjet e lodrave. Poashtu kemi filluar me rregullimin e pikave grumbulluese të mbeturinave duke i rrethuar e mbuluar dhe përherë u angazhuam në rastet e katastrofave të vërshimeve thotë Ramaj.
Ne u ofruam klientëve tanë një ofertë të volitshme për zgjidhjen e problemeve të tyre në lidhje me borxhet që kishin, prej të cilëve 2920 prej tyre e pranuan një gjë të tillë. Edhe ne një pjesë të borxheve të vjetra rregulluam me deponinë sanitare dhe ATK-ën dhe ato i paguam. Unë i falënderoj të gjithë klientët të cilët paguajnë rregullisht tarifat, thotë Senad Ramaj, sepse pa `ta puna e jonë në shërbim të ambientit të mirë dhe të shëndetit si dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, nuk do të ishte e mundur./rajonipress/


