Enver Sahiti nga Presheva, dikur futbollist e trajner, tani edhe poet
Enver Sahiti i njohur në popullatën tonë dhe më gjerë si ish futbollist, pedagog i kulturës fizike, trajner futbolli, tani në të ardhmen do ta njohim edhe poet.
Përveç tri botimeve nga fusha e futbollit, libra këto të karakterit shkencor “Futbolli-teoria dhe praktika”, “Futbolli-teoria dhe metodika” dhe “Futbolli sistemet dhe praktika”, ai botoi edhe librin me anekdota me titull “Qyteza e ditarit tim”.
Këto ditë Sahiti e nxori nga shtypi edhe librin e parë me poezi dhe të pestin me radhë me titull “Ngrehina përjetësie” , edituar nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” Preshevë.
Sipas autorit të librit Enver Sahiti, “dëshira për t’u marrë me shkrimin e poezive ka qenë e kahmotshme, sepse deri më tani kam punuar për botimin e librave rreth profesionit tim si trajner i futbollit, por jam marrë edhe me poezi të cilat i kam shkruar me shumë ndjesi dhe dashuri, dhe tani libri është dhe do të jetë pronë e lexuesve…dhe le ta japin ata mendimin e tyre për librin tim”.
Gjithnjë sipas tij “libri në brendinë e saj ka vjersha të gjata posi poema të cilat janë të motivit patriotik e atdhetarë, kanë rimën dhe ndjesinë e tyre”.
Më tej ai e falënderon shtëpinë botuese “Feniks” dhe editorin e saj, Bilall Maliqi redaktorin e librit Rexhep Abazin, recensentët, poetin Rrahman Hyseni, Sueda Hajrullahun dhe lektorin Ahmet Aliu.
Enver Sahiti një kohë të gjatë ishte futbollist, edukator i edukatës fizike dhe trajner futbolli ku udhëhoqi shumë skuadra në Çeki, në Maqedoni e gjetiu.
Enver Sahiti është bartës edhe i liçencës “Pro” të UEFA-s./Titulli.com/


