I çuditshmi Arlind Ajeti
Dy vjetët e fundit kanë qenë mjaft të mira për Arlind Ajetin, por edhe shumë të çuditshme.
Situatat rreth tij përcillen me kthesa të mëdha. Në fakt, mbrojtësi kosovar bëri emër në gjithë Evropën falë Kampionatit Evropian “Franca 2016”, shkruan “Zeri.info”.
Ai ia kishte parë hairin kartonit të kuq që Lorik Cana e kishte marrë në ndeshjen e parë të Shqipërisë kundër Zvicrës.
Kjo pasi suspendimi i Canës i kishte dhënë mundësi Ajetit për të luajtur. Dhe, mbrojtësi llapjan e shfrytëzoi për mrekulli shansin, duke shkëlqyer në ndeshjet me Francën e Rumaninë.
Kështu, shumë klube mezi prisnin përfundimin e Evropianit për t’i nisur bisedimet me Ajetin, i cili ka ditur të shkëlqejë për Shqipërinë edhe kur ishte i lirë, pa skuadër, dhe ushtronte i vetmuar.
Kjo pasi qendërmbrojtësi kishte arritur të transferohet në Serie A të Italisë te Frozinone, e cila në ndërkohë kishte rënë në Serie B, dhe Ajeti kishte mbetur pa skuadër, transmeton “Zeri.info”.
Dhe, me paraqitjet e shkëlqyeshme në “Euro 2016”, Ajeti kishte rikonfirmuar se meriton të luajë në një kampionat të fortë, siç është ai italian.
Evropiani i kishte dhënë shumë mundësi, por mbrojtësi i njohur kishte zgjedhur Torinon.
Besohej se Ajeti do të zë vend në formacionin bazë, pasi luante rregullisht në ndeshjet miqësore të fazës përgatitore.
Por, dy lëndime e kishin shkatërruar krejt përparimin që e kishte shënuar Ajeti, i cili u shndërrua në një rezervist, madje jo fort të rëndësishëm për Torinon.
Edhe pse tani nuk po vërehet, pasi nuk po luan, çuditërisht Ajeti vazhdon të kërkohet nga klubet elitare italiane.
Sipas medieve italiane, Palermo, Empoli, Crotone dhe Pescara po e kërkojnë Ajetin, të cilin madje e kanë siguruar se do të luajë vazhdimisht.
Kështu, brenda dy javësh Ajeti duhet të vendosë për të ardhmen e tij. /ZËRI/


