Matoshi: Mërgimtarët meritojnë përkushtimin tonë për ta
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka ndërmarrë hapa konkret për pritjen e bashkatdhetarëve të cilët do të vijnë në Kosovë për të kaluar pushimet verore. Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi ka thënë për rajonipress se mërgimtarët kamenicas meritojnë një përkujdesje të veçantë me qëllim që pushimet e tyre në atdhe të jenë sa më të rehatshme.
“Nga e hëna ofiqaria do të punojë me orar të zgjatur për dy tri orë, do të eliminohet pauza nga ora 12 deri në 13 si dhe do të zgjatet orari i punës deri në orën 18.00 të mbrëmjes. Tashmë drejtori i administratës së përgjithshme Valon Maliqi ka hartuar planin dhe ai do të zbatohet nga e hëna që vjen. Po ashtu do të ketë edhe aktivitete të tjera në kuadër të pritjes së mërgimtarëve. Drejtoria e Kulturës do të organizoj një koncert për mërgimtarët, ndërsa komuna në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me Ministrinë e Diasporës do të organizojnë panairin e ushqimeve tradicionale dhe aktivitete të tjera rekreacioni” ka thënë nënkryetari Matoshi.
Sipas tij në shumicën e fshatrave të Kamenicës do të organizohen Takimet e Vendlindjes, dhe komuna është e gatshme të mbështes këshillat lokale në organizim e sidomos në rregullimin e infrastrukturës.
Poashtu edhe Komuna Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik do të organizojnë një panair të produkteve kamenicase në rrugën kryesore të Kamenicës.
Sipas Matoshit, komuna duke filluar nga Kryetari Sinani e deri tek të gjithë stafi komunal do të jenë në dispozicion për takime dhe shqyrtimin e kërkesave të mërgimtarëve. “Qytetarët tanë që jetojnë e punojnë në perëndim janë pjesë shumë e rëndësishme e komunës sonë, ata ka në pasur përgjegjësi historike në të kaluarën dhe kanë bartur barrën kryesore të funksionimit të arsimit dhe jetës në përgjithësi në Kosovë gjatë okupimit, ishin mbështetësit vendimtarë të luftës sonë për liri dhe ndikuan fuqishëm në zhvillimin e Kamenicës pas luftës, andaj meritojnë shumë më të tepër sesa që ne aktualisht mund të bëjmë për ta” theksoi nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi./rajonipress/


