Eko Higjiena

Për Gjykatën Speciale

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arben Idrizi – Refuzimi i deputetëve tonë për të votuar themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte është një apologji krimit, mbështetje e vrasjeve të civilëve serbë, romë e shqiptarë, dëshirë për të mos u zbardhur kurrë ato krime makabre, ftesë brezave të ardhshëm në krim dhe barbarizëm.

Mediat kanë botuar sot një dokument, të shkruar me dorë, të lëshuar nga Ushtria Clirimtare e Kosovës, Drejtoria e Shërbimit të Policisë Sekrete. Dokumenti është në të vërtetë fletekzekutim i Ramiz Hoxhës, i arrestuar nga persona të maskuar, e akuzuar për tradhti, bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe i ekzekutuar në vend, në emër të popullit.

Më pas, thotë lajmi, janë arretsuar edhe dy anëtarë të tjerë të LDK-së.

Me pak fjalë, LDK ishte thjesht një organizatë armike dhe si e tillë duhej hequr qafe me të gjitha mjetet.

Po kjo s’ka përfunduar me kaq, me luftën. Sepse, dyshohet, vrasjet më të mëdha të anëtarëve të LDK-së janë bërë pikërisht pas luftës.

KKVITI

Ka mënyra të ndryshme me anë të të cilave një qenie njerëzore e manifeston kafshërinë e vet. Njëra ndër to është thirrja në emër të një ideje, emri, parimi, vlere a ligji justifikues, pa qenë në të vërtetë i zgjedhur as i legjitimuar nga asnjë autoritet i pranueshëm moral as ligjor që të veprojë ashtu.

Prandaj unë them se ata persona që e kanë ekzekutuar njeriun vetëm pse i përkiste një lëvizjeje tjetër, në të vërtetë këtë e kanë bërë për shkak të kafshërisë së tyre, natyrës së tyre prej vrasësish, ndërsa justifikimi, thirrja në emrin e popullit, është vetëm një maskim për ta lehtësuar punën, një zgjidhje e shpejtë dhe e lehtë për të hequr çdo dyshim mbi natyrën e vërtetë të veprës, krimin. Krimi ka ndodhur për të pasur pushtet, për të qenë autoritet vendimmarrës, për të bërë ligjin për të tjerët dhe për t’i gëzuar të gjitha të mirat që pasojnë. Krimi i atyre personave ndaj një personi të vetëm pra ka qenë në fakt nisma e një krimi të një lëvizjeje kundër një lëvizjeje tjetër.

U nisa nga këtu për të dalë tek ideja se Kosovës, në rast se Gjykata Speciale për krimet e luftës në themelim e sipër nuk merret, i duhet po ashtu edhe një Gjykatë Speciale për krimet politike.

Këtë sigurisht nuk do të na e themelojë askush. Ndoshta as nuk do të na e kërkojë as nuk do të na detyrojë. Duhet ta bëjmë vetë.

Nga ana tjetër, që ta them troç dhe me pak fjalë, refuzimi i deputetëve tonë për të votuar themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte është një apologji krimit, mbështetje e vrasjeve të civilëve serbë, romë e shqiptarë, dëshirë për të mos u zbardhur kurrë ato krime makabre, ftesë brezave të ardhshëm në krim dhe barbarizëm.