Sporti në Gjilan përmbyll vitin me mjaft sukses
Gjilan – Si asnjëherë më parë sporti në komunën e Gjilanit në vitin 2016 ka korrur suksese të lakmueshme si vetë sportistët. Komuna e Gjilanit për sportistët e saj gjatë këtij viti është treguar zemërgjerë duke përkrah çdo aktivitet sportiv dhe duke ju rregulluar sportistëve infrastrukturën sa më të mirë.
Gjatë vitit 2016 klubet e Gjilanit nga Komuna kanë përfituar 150.00 € për të bërë gara në ligat e tyre sportive.
“Me të drejt mund të themi se vitin që sapo lamë pas për sportistët e Gjilanit ka qenë një vit i bereqetshëm, çdo projekt si dhe çdo kërkesë ekipore apo individuale e kemi shqyrtuar në maksimum për të vetmin qëllim që Komuna mos t’ju mbetet borxh sportistëve të saj dhe për këtë jemi shumë të lumtur, me mundësit buxhetore të Komunës ia kemi arritur qëllimin tonë dhe të sportistëve”, thekson koordinatori i sportit në Komunën e Gjilanit Malazog Hoxha.
Palestra Sportive “Bashkim Selishta”-Petriti tani ka një pamje krejtësisht të re gjatë vitit 2016, në këtë Palestër është bërë një punë mjaft e madhe duke krijuar ambient të mirë sportivë.
“Palestra ka qenë në gjendje të mjerueshme si brenda saj njëashtu edhe jashtë saj, ne kemi bërë të gjitha punët brenda Palestrës dhe jashtë saj dhe ne sot krenohemi me këtë objekt sportiv pasi tani sportistët e Gjilanit i kanë mundësit ideale që aktivitetin sportiv ta zhvillojnë ashtu siç duhet, ne për këto riparime kemi shpenzuar mbi 70.000 € por nuk do të ndalemi me kaq, ne në këtë vit do të vazhdojmë punën aty ku kemi mbetur”, thekson njeriu i parë i sportit në komunën e Gjilanit Malazog Hoxha.
Sektori i sportit kishte menduar edhe për Stadiumin e Qytetit i cili tani ka një pamje të mirë dhe konsiderohet njëra ndër fushat më të mira futbollistike në Kosovë.
“Në fund të dhjetorit 2015 kemi ndarë 4.000 € dhe në mes të 2016 kemi ndarë edhe 4.000 € si konservim për mirëmbajtjen e stadiumit, ujit, barit, rrymës etj”, thekson Hoxha.
Komuna e Gjilanit sektori i sportit me mjaft sukses kishte organizuar dy ndeshje ndërkombëtare të cilat i zhvilloi KV Drita në konkurrencën e femrave duke marr lëvdata edhe nga vet delegatët ndërkombëtar të këtyre ndeshjeve.
Siç bënë të ditur Hoxha viti 2017 do të jetë një vit i begatshëm për sportistët Gjilanas.
“Të gjitha këto të arritura nuk do të ishin të realizuara por kryetari i Komunës z.Lutfi Haziri gjithmonë ka gjetur vullnet të mirë që sportistëve t’ju krijon kushte optimale edhe pse në disa momente ka qenë vështirë të realizohen duke ditur buxhetin e Komunës, por edhe kësaj radhe kryetari ka bërë të ditur se është në krah të sportit, në vitin 2017 do të vazhdojmë duke punuar prapë në Palestër dhe në fushën e futbollit dhe do t`i përkrahim sportistët me mundësit të cilat na lejojnë”, ka bërë të ditur koordinatori i sportit të Komunës së Gjilanit Malazog Hoxha./sylejman ismajli/rajonipress/


