Kqiku: Faleminderit Gjilan?
Gjilan – Lumnije Kqiku e lindur në Gjilan dhe e doktoruar në Graz të Austrisë ka marrë Mirënjohje speciale nga komuna e Gjilanit për nder të ditës së çlirimit. Kqiku tha për rajonipress se ka vizituar shumë shtete të botës dhe ka marrë mirënjohje e çmime të shumta, por kjo e Gjilanit ka një rëndësi të veçantë. Vërtet ndihem e lumtur dhe krenare që qyteti im dhe kryetari Haziri nuk i ka harruar kuadrot e dëshmuara në fushën e mjekësisë. Faleminderit Gjilan, u shpreh Kqiku.
Për nder të ditës së çlirimit të Gjilanit, Komuna dhe sektori i kulturës kanë ndarë mirënjohje për njerëz të dalluar në fusha të caktuara. Një mirënjohje speciale për të arriturat dhe kontributin e treguar në fushën e mjekësisë dhe shkencës e ka marrë edhe dr. Lumnije Kqiku nga Gjilani e cila aktualisht është ligjëruese në Universitetin e Grazit.
Lutfi Haziri ka thënë për Kqikun se ndihet krenare që një vendase e jonja ka arritur të depërtojë në universitetet më të njohura evropiane.
Edhe Bujar Haziri nga sektori i kulturës tha se Lumnije Kqiku është nderi dhe krenaria e Gjilanit. “Ajo me punën e saj në fushën e mjekësisë i ka hapur dyert Gjilanit për të pasur edhe ekspert tjerë të kësaj fushe. Andaj Gjilani pa asnjë hezitim i ka ndarë këtë mirënjohje Lumnije Kqikut” tha Bujar Haziri.
E vet Lumnije Kqiku për rajonipress nuk ka hezituar të shpreh emocionet që ka për ndarjen e mirënjohjes nga qyteti i saj i lindjes. “Unë kam ecur në shumë shtete të botës dhe kam marrë shumë mirënjohje, e çmime prestigjioze, por kjo e Gjilanit është diçka e veçantë dhe do e ruaj me shumë kujdes në arkivin tim” u shpreh Kqiku.
Kqiku tha se nuk do të ndalet me rezultate e suksese edhe në të ardhmen për ta bërë edhe më krenar qytetin e saj të lindjes.
E lindur në Gjilan e shkolluar në Prishtinë e avancuar në titullin doktor shkence në Grac të Austrisë Lumnije Kqiku është ndër femrat e rralla në trojet shqiptare që ka arritur të hyjë në publikimin më prestigjioz: “Kush është Kush në Bote”( Who`s Who in the World”.
Kqiku ka hyrë në këtë publikim prestigjioz për shkak të të arriturave në fushën mjekësore-stomatologji dhe për shkak të numrit të madh të publikimeve, projekteve dhe ligjëratave ne kongrese shkencore.
“Kam punuar me përkushtim të madh dhe jam përpjekur që edhe në studimet shkencore edhe para studentëve të huaj këtu në Grac të shpalosi dijen dhe intelektin shqiptarë. Asnjëherë nuk e kam harruar historinë e popullit tim, përkundrazi me kolegët e huaj gjithmonë trajtojë temat e Kosovës” shprehet Kqiku.
Normalisht që Graci është metropol ku aftësitë e individëve çmohen shumë. Me rezultate dhe kërkime shkencore kam arritur shumë shpejt të zgjidhem edhe si ligjëruese në Universitetin e Gracit ku edhe jam e vetmja femër shqiptare shprehet Kqiku.
Por, Kqiku thotë se për ta dëshmuar se Kosova ka kuadro të afta në vitin 2004 në Austri punimi i saj shkencor ishte zgjedhur si punimi më i mirë në këtë shtet. “Kam prezantuar në mbi 50 seminare e simpoziume me karakter ndërkombëtarë si në SHBA, Kanada, Gjermani, Turqi, Greqi, Kroaci, Maqedoni Austri etj. Në të gjitha këto punime shpesh ka dominuar edhe politika dhe prezantimi i parë që është bërë nga ana ime ka qenë se unë vijë nga Kosova. Për asnjë çast nuk i harrojë kolegët e mi në Kosovë. Do të vijë koha dhe momenti kur edhe ata do të shpërblehen për punën që e bëjnë thotë ajo”./rajonipress/


