ARKATANA

Hajnat e prokurimit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Enis Veliu – Raporti i fundit i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) rreth auditimit të performancës për Mirëmbajtjen dhe Riparimin e Automjeteve zyrtare për tre institucione të vendit, nxori në pah abuzime të rënda me buxhetin e shtetit, ku një pjesë e këmbimit për automjete zyrtare është paguar gati 10 herë më shtrenjtë sesa është çmimi me pakicë në treg.

Madje, Auditori në raportin e tij ka konstatuar se në disa raste riparimi i automjetit për tre vjet ka kaluar vlerën e tij në treg.

Vjedhja e buxhetit të shtetit përmes proceseve të shumta të prokurimit që zhvillohen në vendin tonë nga institucionet e ndryshme tashmë, thuajse është bërë standard. Pagesa e përqindjes për zyrtarin e prokurimit në të shumtën e rasteve është e domosdoshme si mënyrë e vetme për ta realizuar qëllimin, marrjen e tenderit. Në të shumtën e rasteve drejtorët e prokurimit kanë arritur të krijojnë pasuri marramendëse, duke vjedhur buxhetin e shtetit, por edhe duke kushtëzuar kompanitë private, derisa paga që ata marrin për punën që bëjnë është e barabartë me të një arsimtari.

Si në të kaluarën, por edhe tash prokurimi publik në Kosovë në vazhdimësi ka qenë njollë e zezë për Kosovën, por gatishmëria për ta shfarosur atë po ashtu ka munguar dhe po mungon.

Thuajse të gjitha raportet ndërkombëtare të hartuara për Kosovën, prokurimin publik e kanë identifikuar si kancer të shtetit më të ri në Evropë, pasi që llogaritet më shumë se 20 për qind e mjeteve që shpenzohen përmes prokurimit përfundojnë në xhepa të zyrtarëve të korruptuar të prokurimit, por edhe “bosëve” të tyre që i kanë dërguar aty.

Para pak ditësh Auditori ka konstatuar se Dogana e Kosovës një filtër të naftës për veturën “Golf V” e ka blerë hiç më pak se 47.5 euro. Po të njëjtin filtër Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) e ka blerë 10.50 euro. Ndërsa Policia e Kosovës (PK) 29.25 euro, ku dallimi mes çmimit që e ka blerë ATK-ja dhe Dogana e Kosovës është më i lartë se 352 %.

Fundamenti

Po ashtu, bazuar në raportin e Auditorit shihet qartë se ATK-ja një filtër të klimës po ashtu për veturën “Golf 5” e ka blerë 4.91 euro, derisa Dogana e ka blerë për 19.5 euro e ku dallimi në çmim është 297 %.

Përveç kësaj, Auditori ka gjetur edhe abuzime edhe më të rënda me para publike për këtë qëllim.

Por, karshi këtyre abuzimeve të rënda me para publike, organet e drejtësisë thuajse gjithmonë e kanë luajtur rolin e spektatorit. Përfundimisht sistemi i drejtësisë duhet të zgjohet nga gjumi. Këta duhet të identifikojnë, të hetojnë dhe të dënojnë ashtu siç e meritojnë zyrtarët e korruptuar të prokurimit që në vazhdimësi po e vjedhin arkën e shtetit.

Pozicioni i zyrtarit, drejtorit të prokurimit, apo edhe zyrtarëve që janë në këtë zyrë, duhet të shikohet si vend pune për të punuar si të gjithë shërbyesit e tjerë civilë në vend, e jo të shërbejë si “minierë ari” për të pasuruar veten dhe familjet e tyre.

Eliminimi i korrupsionit në prokurimin publik është veprim i domosdoshëm që duhet të ndërmarrin institucionet e vendit, sepse dikur mund të bëhet edhe vonë.