MAPL konfirmon ligjshmërinë e plotë të vendimeve të Kuvendit Komunal
Gjilan – Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka konfirmuar se të gjitha vendimet e seancës së tretë të Kuvendit Komunal të Gjilanit, të mbajtur më 30 maj 2015, janë të ligjshme. Bëhet fjalë për shtatë vendime dhe një rregullore. MAPL ka shqyrtuar vendimet e Kuvendit Komunal të Gjilanit, duke vepruar sipas kompetencave dhe përgjegjësive ligjore që ka.
Konfirmimi i MAPL ka të bëjë me vendimet: Për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme komunale me pronën private, për nevoja të rrugës publike të deponisë së mbeturinave në Velekincë, për themelimin e Komitetit konsultativ të ekspertëve të planifikimit hapësinor, për planin e punës së Kuvendit Komunal për vitin 2015, për planin e punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2015, për raportin financiar janar-mars 2015, për Rregulloren për mbrojtjen e të miturve nga dukuritë që dëmtojnë shëndetin dhe zhvillimin e tyre, për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për transparencë komunale si dhe të vendimit për lejimin e shfrytëzimit të pronës së paluajtshme komunale për nevoja të Bashkësisë Islame në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”.
Opozita në Gjilan e ka akuzuar vazhdimisht Kuvendin Komunal, duke thënë se po miraton vendime të paligjshme thuhet në njoftimin e KK në Gjilan./rajonipress/


