United Hospital

Në UBT u inaugurua Inkubatori Virtual i Kosovës dhe Start up Qendra

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Në një ceremoni të organizuar sot në UBT, u bë inaugurimi i Inkubatorit Virtual të Kosovës dhe Start up Qendrës në UBT, të krijuara me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, përfaqësues të institucioneve dhe të biznesit, mysafirë të tjerë, mësimdhënës, studentë dhe përfaqësues të mediave.

Pos projektit të inauguruar sot, Ambasada e SHBA ka përkrahur garën për biznes-plane të studentëve të UBT-së, ndërsa në kuadër të projektit është publikuar edhe revista “UBT Entrepreneurship Journal”, në të cilën janë publikuar një varg aktivitetesh, si dhe janë prezantuar ish-studentë të UBT-së, të suksesshëm në bizneset e tyre.

“Ky moment është historik. Një inkubator virtual i Kosovës. Kemi theksuar edhe në përmbylljen e pjesës së parë të projektit – Misioni ynë, vizioni ynë, ëndrra jonë po realizohet me ndihmën e Ambasadës Amerikane. Është një proces që ndihmon të gjithë këta pjesëmarrës. Pika e parë është që UBT ka program për Biznes dhe Teknologji. Shkolla që kanë mundësi të gjenerimit të ideve e produkteve. UBT është shkolla më e madhe e ICT në Ballkan. Këtë pjesë duhet ta shfrytëzojmë që studentëve t’ua mundësojmë të krijojnë ndërmarrësi. T’i mbështesim e të gjenerojmë vende të reja të punës e të krijojmë ndërmarrje në Kosovë. Janë të gjitha kushtet që ne ta mbështesim zhvillimin”, theksoi rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, duke folur në ceremoni.

Sipas tij, virtualizimi i inkubatorit mundëson që nga forma fizike të mbështeten në formën virtuale. “Ne kemi mbështetje regjionale. Mendoj se do të ketë shumë rezultate. Ne e kemi testuar në UBT, e ka pjesën e network, pjesën private etj. Pra i ka të gjitha që na nevojiten”, vijoi Hajrizi.

Hajrizi theksoi në vazhdim se idetë e reja do të mbështeten nga këndi i ndërmarrësisë. “Me mbështetjen e Ambasadës së SHBA ne kemi arritur që ta krijojmë këtë. Në të gjitha qytetet ne do ta krijojmë një kësi këndi. Me këtë krijohet një decentralizim/regjionalizim. Ne do të mbështesim të gjitha bizneset, por do të ketë përparësi inovacioni”, theksoi z.Hajrizi.

Duke u ndërlidhur me inovacionin, ai përkujtoi se studentët e UBT-së e kanë zënë vendin e parë në NASA me idetë e tyre.

Ai gjithashtu tha se UBT është një nga universitetet e vetme që ka lëndë profesionale.
”Ne duhet të identifikojmë pjesën e njerëzve më të dalluar. Sa prej tyre do të regjistrojnë biznese, ne do të tentojmë që të krijojmë sa më shumë spinn of, në bashkëpunim mes UBT-së dhe bizneseve të tjera. Presim grante edhe nga Qeveria e Kosovës. Ne kemi marrë konfirmimet nga të gjitha bankat, edhe nga TEB-i në këtë rast, që duan që të ndihmojnë në bizneset e grave”, theksoi Hajrizi.

Eco Higjiena

Hajrizi bëri të ditur se shfrytëzuesit e parë vetëm janë përzgjedhur dhe do ta kenë rastin ta shfrytëzojnë ketë program.

“Ky muaj, apo ky segment kohor, është koha e përkrahjes nga populli amerikan që na ndihmuan me hapjen e bibliotekës dhe tash edhe me këtë program”, theksoi ndër të tjera Hajrizi.

Koordinatori i projektit, z. Naim Preniqi shprehi fillimisht falënderime për Ambasadën Amerikane dhe për pjesëmarrësit e tjerë në këtë projekt.

“Qëllimi ka qenë të formohet Qendra e Ndërmarrësisë në UBT. Projekti ka filluar në vitin 2014. Fillimisht në të morën pjesë rreth 150 studentë, prej tyre dolën mbi 40 biznes-plane të cilat e kanë kaluar një fazë të monitorimit nga profesorët. Disa nga ta që ishin më të suksesshëm janë shpërblyer me certifikata. Një ndër pikat e tjera të inkubatorit ka qenë themelimi i inkubatorit virtual, ku ka pasur prezantime gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit të kaluar. Në themelimin e inkubatorit kanë ndihmuar ekspertë amerikanë”, tha z.Preniqi.

Lidhur me përkrahjen e bizneseve në fushën e teknologjisë informative foli Betim Gashi, i cili theksoi se ndërmarrësit e rinj do të përkrahen me shërbime të ndryshme elektronike.

Më fund të ceremonisë u dhanë certifikata dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë projekt. Mes të tjerësh, me mirënjohje u nderua edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, por edhe inkubistët e parë.

B.Troshupa, D.Jakurti / UBT News/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.