Kurteshi: Qeverisja në Gjilan ende e përgjumur
Gjilan – Po kalon gjysma e mandatit e kjo qeverisje ende po flet se si do të sjell investitorë, se si po planifikon, po i negocion e po studion, ndërkohë që në fushën e menaxhimit të buxhetit të komunës dhe pronave komunale ka shumë mangësi e keqqeverisje, ka thënë Ismajl Kurteshi.
Vetëvendosje në Gjilan, ka mbajtur një takim me gazetarë, derisa Ismajl Kurteshi, tha se keqqeverisja është brengë e madhe e qytetarëve. Sipas Kurteshit, po vazhdojnë ndërtimet pa leje, në hyrje-dalje të qytetit po ndërtohet dhe se ato rrugë vështirë se do të mund të zgjerohen ndonjëherë, po ndërtohet afër shkollave, në tokë pjellore, ka punësime pa konkurs, centralizim të buxhetit të shkollave, kurse buxheti i komunës po harxhohet në Prevallë e gjetiu, ku kinse po hartohen strategji zhvillimore.
“Po kalon gjysma e mandatit e kjo qeverisje ende po flet se si do të sjell investitorë, se si po planifikon, po i negocion e po studion, ndërkohë që në fushën e menaxhimit të buxhetit të komunës dhe pronave komunale ka shumë mangësi e keqqeverisje”, ka thënë Ismajl Kurteshi.
Shpend Nuhiu nga kjo lëvizje, ka thënë se edhe ato pak vende të punës që po hapen në to punësimi po bëhet pa kriter. Në një situatë të tillë, të rinjtë po ia mësyjnë perëndimit e disa të tjerë edhe lindjes.
Nuhiu kërkoi të investohet në vende të reja të punës dhe që punësimi të bëhet me kritere të mirëfillta. Luljeta Rashiti, tha se në komunën e Gjilanit ka pabarazi gjinore dhe se femrës nuk po i jepet mundësi të dëshmohet./rajonipress/


