E do Kosova, s’e do Serbia
Serbia dhe Kosova kanë pasur preferenca të kundërta sa u përket kandidatëve për president të FIFA-s, në zgjedhjet që u mbajtën të premten.Sepp Blatter e fitoi edhe një tjetër mandat në krye të shtëpisë së futbollit botëror, duke triumfuar përballë kundërkandidatit të tij, princit Al Husseini.
Disa portale serbe kanë raportuar se presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karadzic, kishte votuar kundër zgjedhjes së zviceranit për herë të pestë në krye të kësaj organizate, e cila qe një kohë të gjatë po përfshihet nga skandale të ndryshme, kryesisht të natyrës së korrupsionit.
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, është kundër qëndrimit të Blatterit në krye të FIFA-s, dhe sipas mediave serbe, francezi ka ndikuar te Karadzic, që ky i fundit të votojë kundër Blatterit. Sipas tyre, Platini e ka ushtruar ndikimin edhe te disa miq tjerë të tij që të votojnë për princin Al Husseini.
Siç dihet, Michel Platini shumë moti konsiderohet si një mik i mirë i Serbisë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) – e cila nuk është ende anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s – zgjedhjet në shtëpinë e futbollit botëror i ka përcjellë nga Prishtina, derisa e ka mirëpritur fitoren e Sepp Blatterit.
Ky i fundit konsiderohet mik i futbollit kosovar nga ana e FFK-së, e cila disa herë pati theksuar se zvicerani është më meritori që FIFA e kishte lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, pas një kërkese të vazhdueshme të Prishtinës zyrtare.
Mirëpo, Blatter u pati thënë kosovarëve se ndërkombëtarizimi i plotë i futbollit të Kosovës nuk varet prej tij, por prej UEFA-s. Ai pati premtuar se në momentin kur Michel Platini e njeh Kosovën, atëherë edhe FIFA menjëherë do ta bëjë të njëjtën gjë.
Deri në fillim të vitit të ardhshëm, besohet se Kosova do të anëtarësohet në UEFA, e pastaj në FIFA.
Andaj, FFK-ja aktualisht po mundohet t’i bindë këto dy organizata që t’ia mundësojnë përfaqësueses kosovare pjesëmarrjen në eliminatoret për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.
Optimizmi rreth arritjes së këtij qëllimi është i madh në shtëpinë e futbollit kosovar. /ZËRI/


