Strukturat paralele po e “kolonizojnë” veriun e Kosovës
Një grup këshilltarësh nga komunat veriore të Kosovës të mërkurën kanë shprehur shqetësimet e tyre në takim me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, shkruan sot Koha Ditore.
Ata janë ankuar për mungesë të lëvizjes së lirë dhe pamundësinë për t’u rikthyer në shtëpitë e veta.
Përfaqësues komunalë kanë tërhequr vërejtjen se shteti serb po punon që ta kolonizojë veriun, duke ndryshuar raportin etno-demografik. Pakënaqësi kanë edhe ndaj institucioneve lokale të drejtuara nga serbët, të cilat janë “diskriminuese” për shqiptarët, sidomos kur është fjala te punësimet.
Nazmi Ismajli, nga Këshilli i Veriut, ka deklaruar se janë 420 banesa në veri të uzurpuara nga serbët, si dhe 200 shtëpi të tjera që presin të ndërtohen.
Edhe Bashkim Cimili, këshilltar i PDK-së në Komunën e Mitrovicës Veriore, ka shfaqur brengat për ndërtimet serbe në atë pjesë, ku, sipas tij, Serbia tashmë ka ndërtuar mbi 30 ndërtesa shumëkatëshe.
Ndërkaq Ukshin Veseli, përfaqësues i LDK-së nga fashti Çabër i Komunës së Zubin-Potokut ka potencuar se edhe pse mund të ndërtojnë shtëpi, sfidë janë punësimi dhe problemet sociale. Kërkesa e tij ishte që shqiptarët të kenë përkrahje në sektorin e bujqësisë.
http://koha.net/?id=27&l=59384


