Uji Dea

Bushati kërkon anëtarësim të Kosovës në KE dhe vëmendje ndaj zhvillimeve në Maqedoni

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kërkuar në Sesionin e 125 Ministror të Këshillit të Evropës, që u zhvillua të martën në Bruksel, që sa më parë Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pasi mbajtja jashtë e privon atë dhe shtetasit e saj nga mbështetja që ofron sistemi i konventave të KE-së.

Ndërkohë që kreu i diplomacisë shqiptare ka kërkuar transparencë të plotë për ngjarjet në Kumanovë të Maqedonisë, duke kërkuar njëherësh kujdes dhe maturi në trajtimin e këtyre zhvillimeve, pasi pakujdesitë në trajtimin e tyre janë një përpjekje për të ndezur tensione ndëretnike.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, vlerësoi rolin e rëndësishëm që ka luajtur Këshilli i Evropës në ankorimin e Kosovës në komunitetin evropian të vlerave.

“Qëllimi ynë parësor është të sigurojmë që të gjithë qytetarët evropianë, pa përjashtim, të gëzojnë standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe nga i gjithë sistemi ynë i konventave. Për këtë arsye sa më parë të anëtarësohet Kosova në Këshillin e Evropës, aq më shpejt shtetasit kosovarë do të mund të gëzojnë mbrojtjen që ofron sistemi ynë i konventave. Mbajta e Kosovës jashtë e privon atë dhe shtetasit e saj nga mbështetja jetike që kjo organizatë ofron sa i përket përforcimit të sigurisë demokratike”, ka thënë Bushati.

Hidromorava

Referuar Maqedonisë, ministri Bushati ka kërkuar që t’u kushtohet vëmendje zhvillimeve në përgjithësi në vendin fqinj.

“Nuk u referohem këtu vetëm luftimeve, shkatërrimit dhe humbjes së jetëve në qytetin e Kumanovës pak ditë më parë, ngjarje që, jo vetëm për shkak të përbërjes etnike komplekse të Maqedonisë, kërkojnë transparencë të plotë. Marrëdhëniet ndëretnike janë jetike për ekzistencën e Maqedonisë, ashtu sikundër është dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. T’i quash zhvillimet e fundit në Maqedoni përplasje me karakter ndëretnik dhe ndërfetar është më shumë sesa një pakujdesi, është papërgjegjshmëri dhe përpjekje për të ndezur tensione ndëretnike. Kjo nuk është në interesin e sigurisë së Maqedonisë, të rajonit apo të vetë Evropës”, ka thënë ai.

Gjatë punimeve të Sesionit Ministror u diskutua gjithashtu mbi Raportin e dytë të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, fokusuar mbi situatën e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut në Evropë, i cili bazohet në aspekte të veçanta të sigurisë demokratike në Evropë.

http://koha.net/?id=27&l=58173