ARKATANA

Rreth 100 mijë protestues, kundër Gruevskit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Rreth 100 mijë veta vlerësohet se i janë përgjigjur ftesës së opozitës për të protestuar të dielën në Shkup, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Nikola Gruevski.

Protesta më masive u zhvillua dje, disa muaj pasi që lideri i opozitës, Zoran Zaev, publikoi përgjimet sekrete shtetërore, të cilat konfirmuan komplote të ministrave për të manipuluar zgjedhjet, si dhe fshehjen e një vrasjeje të një të riut maqedonas.

E paqëndrueshmëria politike maqedonase, erdhi dhe u shtua edhe pas sulmeve të javës së kaluar, mes shqiptarëve etnikë dhe policisë në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ku mbetën të vrarë 14 veta nga grupi i armatosur dhe tetë policë.

Uji Dea

“Gruevski ik”, “Lamtumirë Nikolla”, “Poshtë Qeveria kriminale”, “Protestoj”, janë vetëm disa nga parullat që u mbajtën në duar të protestuesve, e bashkë me to valëviteshin flamuj shtetërorë maqedonas, mesin e tyre edhe ata kombëtarë shqiptarë.

Protesta e nisur në orën 14:00, të dielën, zgjati deri në orët e mbrëmjes, përkundër numrit aq të madh, ajo ishte e qetë dhe pa incidente. Por derisa masa u shpërnda, mijëra të tjerë vazhduan protestën edhe natën, ku para Qeverisë u ngritën tenda për të kaluar natën, mesin e të cilëve qëndroi edhe kreu i opozitës, Zoran Zaev./zeri/