Lenjani paralajmëron pranverë të nxehtë në Karaqevë
Gjilan – Selver Lenjani thotë për rajonipress se të gjitha institucionet relevante vendore e ndërkombëtare duhet të bëjnë përpjekje që kontesti kufitar me Serbinë në brezin kufitar në Karaqevë të zgjidhet brenda këtij viti në të kundërtën këtu mund të përsëritet sikurse rasti i Kumanovës. Unë paralajmëroj një pranverë të nxehtë nëse vazhdon të injorohet tutje ky problem shprehet Lenjani.
Mos definimi i vijës kufitare me Serbinë, pasiguria e banorëve për të jetuar e punuar tokat e tyre në Karaqevë, hyrja e xhandarmërisë serbe në pikë të ditës në brendi të Kosovës, provokimet e vazhdueshme që bënë ushtria paramilitare serbe dhe braktisja e banorëve të Karaqevës dhe ikja e tyre në drejtim të vendeve të perëndimit e kanë bërë edhe më të rëndë jetën në këtë brez kufitarë raporton rajonipress.
Por ai që po e humb durimin është pikërisht njeriu që me vite të tëra e ka mbajtur gjallë brezin kufitarë, ka dhënë optimizëm tek banorët se mund të jetohet edhe përballë tytave të automatikut.
Selver Lenjnai tashmë ka disa dilema sfiduese nëse edhe ky vit mund të jetë tolerues për Karaqevën. “Kumanova mund të përsëritet në Karaqevë, nëse faktori relevant vendor e ndërkombëtar nuk e zgjidhin problemin e vijës kufitare. Nëse nuk zgjidhet brenda vitit ky problem unë po ju them sinqerisht se pritet një pranverë e nxehtë në Karaqevë. Deri tani e kam mbajtur optimizmin dhe shpresat tek NATO, tek Bashkimi Evropian dhe KFOR-i. Megjithatë edhe këta mekanizma po e zvarrisin problemin dhe po bëjnë lajka duke e ndihmuar Serbinë që çdo ditë të gllabërojë tokë të Kosovës. Unë nuk mund të garantojë tutje nëse situata mund të jetë e kontrolluar. Po e shihni se çka ndodhi në Kumanovë. Edhe këtu në Karaqevë ka njerëz që janë lodhur e ngopur me politikat ditore dhe ata me të drejtë duan zgjidhje të problemi e jo zvarritje” shprehet Lenjani.
Lenjani thotë se braktisja e familjeve nga Karaqeva në drejtim të vendeve të perëndimit ishte shumë e dhimbshme. “Por edhe më e dhimbshme mund të jetë nëse ato kthehen tani këtë vit. Vendet e BE-së duhet të kenë parasysh kërkesat e azilkërkuesve nga ky rajon kufitar sepse nuk ka as siguri e as zhvillim ekonomik”./rajonipress/


