Takim i ngrohtë me shkrimtarin tonë, Ibrahim Kadriun…
Gjilan – U shënua 50-vjetori i krijimtarisë dhe 70-vjetori i lindjes së autori.Sot, në sallën e Galerisë së Arteve, në Gjilan, Ars Clubi “Beqir Musliu”, në “Vitin e Shkrimtarit” Ibrahim Kadriu, me rastin e 70-vjetorit të lindjes dhe 50-vjetorin e krijimtarisë letrare e publicistike të tij, iu rikthye veprës së parë të këtij autori, me titull “Netët e Karadakut”, botuar në vitin 1969.
Me këtë rast, Sarë Gjergji, poet nga Stublla e Vitisë doli dhe deklamoi disa nga poezitë e veprës së autorit, i cili iu rikthye një kohë mjaft të hershme, pra 50 vjet më parë kur autori ishte në një moshë të re dhe filloi vjershërimin e tij nëpër gazeta e revista tona shqipe. Atë kohë, Ibrahim Kadriu botonte poezi në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, “Rilindja”, “Jeta e re”, “Zëri i rinisë” etj. Vepra e tij “Netët e Karadakut” ishte një “ngjarje” e rrallë dhe e parë e autorit, i cili “rrëfeu” ngjarje e grimca historie të kësaj ane të Karadakut jetik.
Me fjalë të tjera, Sarë Gjergji na përkujtoi titujt e vargjeve të veprës, të cilët poezi na kthenin kah një kohë e hershme e Karadakut jetij të Idriz Seferit, e cila anë nuk shpëtoi lehtë nga regjime e asaj kohe. Kjo, zatën e nxiti autorin të frymëzohet e të shkruajë vargje për një kohë, të cilën pak e kemi mësuar dhe ditur. Zejnepe Alili – Rexhepi, poete nga Tetova tha se, poetët janë ata që zgjedhin të njëjtin varg, ku edhe unë e zgjodha si parafolësi im. “Unë e kam lexuar dhe e kam pasur nëpër dorë krijimtarinë e Ibrahim Kadriut, e cila krijimtari është me vlera dhe sjellë begati të shumta zhanresh në nivelin ideo-artistik, ku e identifikon jo vetëm prirjet e tij si krijues, por tërësisht kjo vepër e tij është në harmoni me kohën, ku bashkëudhëtoi 70 vjet të punës së tij si krijues mjaft produktiv e me vlera. Kësaj here, ma tërhoqi vëmendjen poezia “Karadak male prej gjaku” ku vihej në pah bota shpirtërore e poetit për historitë e trishta të këtij vendi, mbi bukuritë e të cilit furtunat e viteve kanë rrahur pamëshirshëm, e ky mbetet gjakimi jetik i poetit, ku shton: “…rrënjët u prekin thellë mbi kafka…”Andaj, çdo varg është përjetim, është histori më vete, çdo përshkrim është vetë skalitja e së kaluarës sonë që nuk duhet harruar, sepse, si shtoi ajo,-atëherë kur e harrojmë, ajo na rikthehet me të reja tragjedi”.
Pra, vepra e Ibrahim Kadriut “Netët e Karadakut” e shkruar në vitin 1969, na rikthen në ato kohë e në ato rrugëtime të rënda të kësaj ane që banorët e përjetuan dhe pësuan. Ajo shtoi edhe këtë se, poeti zgjodhi rrugën e dialogimit me Danten, “sepse përmasat e jetës shqiptare e tejkalojnë Purgatorin e tij, pasi ai është pak për ta përshkruar dramën shqiptare…” Ndërsa, Nexhat Rexha, krijues tha se, përmbledhja poetike “Netët e Karadakut”, hapet me “Elegji ditës” e shkruar më 1964.
Vepra sajohet pastaj me ciklet poetike, të cilat kanë përmbajtjen e përafërt me modalitetet me njëra tjetrën. Andaj, poezia e shkruar nëpër kohë është pasqyrë me dy pamje. Ajo të jep portretin njerëzor, njëkohësisht të jep rolin e këtij portreti nëpër vlimet e kohës. Këto vargje të I. Kadriut komunikojnë bukur jo vetëm në pikëpamje artistike, por ato komunikojnë bukur dhe në rrezatimet e tyre kombëtare”. Organizatori i këtij takimi, Sabit Rrustemi tha se, me Ibrahimin e nisëm në Zhegrën e Agim Ramadanit, ku u përurua vepra tri vëllimshme kushtuar djaloshit e heroit të kombit Agim Ramadanit, por ja Ibrahimi erdhi edhe në Gjilan për t’na rikthyer tek vepra e parë para 50 vjetësh, e cila shënon një ngjarje jo vetëm për autorin, por edhe për veprimtarinë e tij krijuese. Pra, na sot e patëm një takim me shkrimtarin e këtij mesi, i cili letërsisë sonë i ka dhuruar një numër të shumtë të veprave letrare.
U fol e u lexua poezia e tij nga përmbledhja në fjalë si dhe u vlerësua kjo vepër nga folësit e këtij takimi. Në pjesën e dytë të takimit, i cili u mbajt në Galerinë e Qytetit, te ndërtesa e Teatrit, fituesve të sivjemë të konkursit letrar “Flaka e Janarit” 2015, iu ndanë plaketat për Çmimet e fituara në poezi dhe, tregim. Fituesit e sivjemë, janë: Biser Mehmeti, Rrahim Sadiku e Mehmetali Rexhepi, në tregim. Si dhe, Zejnepe Alili – Rexhepi, Sarë Gjergji e Rabije Bytyqi, në poezi.
Mbështetëse e kësaj veprimtarie, është Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit. Në fund Ibrahim Kadriu tha se, lexuesi i veprës sime e ka kuptuar se ajo flet për një kohë të rëndë apo tragjike të kësaj kohe, ku shumë qytetarë pësuan keq e rënd, të cilët i morën dhunshëm dhe i quan nëpër burgje vetëm se ishin shqiptarë. Kjo ngjarje më frymëzoi dhe aty mora motivin ta shkruaj këtë vetëm me titull “Netët e Karadakut”, netët e një ankthi e jete të rëndë. /tefik selimi/rajonipress/


