Remzije Osmani: Këngët e reja janë të çastit…
Njëra ndër këngëtaret tona, e cila e kultivon muzikën popullore prej kohësh, është Remzije Osmani, e cila ka vite që karrierën e vet në muzikë e shënon me shumë sukses.
Për kaq vite sa këndon, Remzija ka shumë këngë, shumë albume e klipe, të cilat e bën edhe të jetë njëra nga këngëtaret më të kërkuara të melosit popullor, të cilit ajo vazhdon të jetë besnike.
Se sa është interesimi i audiencës sot për muzikën popullore, ja ç’thotë Remzija për revistën “Kosovarja”:
“Në mbarë botën ka ndryshuar muzika. Unë, pos muzikës tonë, kam dëgjuar dhe muzikë të huaj, ku tash po e vërej se ka shumë ndryshime me kohën kur unë kam filluar këngën.
Edhe te ne e njëjta gjë po ndodhë. Mirëpo, te unë nuk ka ndryshuar këndimi, unë këngën e interpretoj njëjtë në zhanrin popullor, po ka ndryshuar dhe janë modernizuar aranzhmanet, meloditë…
Pastaj, edhe tekstet kanë ndërruar shumë. Tekstet janë të zbehta, pa gjak, pa ndjenjë, siç thuhet. Janë më tepër tekste të çastit dhe me shumë pak fjalë brenda. Nuk kanë as porosi, mesazh sikur që kanë këngët e vjetra, ato të mirëfillta shqipe që nuk vdesin kurrë.


