Evropianët me viza
Qytetarët e Kosovës janë më proevropianët në të gjithë Evropën Juglindore, në një shkallë prej 95 për qind të tyre.
Kështu e kishte arsyetuar kërkesën për heqjen e vizave për kosovarët nga Bashkimi Evropian kryediplomati Hashim Thaçi, gjatë një interviste për të përditshmen austriake “Kleine Zeitung”.
Pavarësisht arsyetimeve të tilla të ngjashme, të cilat janë përsëritur shpesh nga liderët vendorë, institucionet e Kosovës ende nuk i kanë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizim të vizave.
Kanë mbetur më pak se një muaj kohë që institucionet e Kosovës ta përmbyllin procesin e përmbushjes së kritereve, ku përfshihet edhe miratimi i nëntë ligjeve që kanë të bëjnë me këtë fushë.
Sipas ekspertëve të integrimeve evropiane, përveç vonesave në përmbushjen e kritereve teknike, ndikim negativ në këtë proces mund të ketë edhe migrimi masiv i qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian, i cili ka ndodhur para disa muajsh.
Po ashtu ata kanë vlerësuar se problem për Kosovën në çështjen e liberalizimit do të paraqesë edhe mungesa e njohjes nga pesë vendet e Bashkimit Evropian./zeri/


