Shpërthen Azemi: Gjykatat burim i konflikteve
Gjilan – Avokati gjilanas Halit Azemi akuzon gjykatat se po shndërrohen në burim të konflikteve për shkak të vendimeve jo meritore dhe profesionalizmit të munguar. Kemi shumë raste që presin nga 15 vite ta zgjidhin problemin dhe në fund zhgënjehen nga vendimi i Gjykatës shprehet Halit Azemi.
Avokati Halit Azemi i cili mbron raste të shumta në kontestet civile është i zhgënjyer me vendimet jo meritore që merre Gjykata në rastet e tilla ku zvarritja e lëndëve dhe zhgënjimi i qytetarëve shkon deri në 15 vite.
“Fatkeqësisht për shkak të vendimeve jo meritore dhe vendimeve të padrejta gjykatat po shndërrohen në burim të konflikteve ku shpesh palët rrahën, përleshen fizikisht e deri tek vrasjet. Gjykata nuk është pazar dhe ajo duhet të vendos meritueshëm për lëndët. Paramendojeni kemi lëndë që nga viti 2000 ku qytetari nga Lugina e Preshevës (Tërrnoc) Isuf Ramizi ka pritur vendimin e Gjykatës i cili është në dëm të tij dhe praktikisht atij i është pamundësuar hyrja në pronën e tij private. Kështu që këtij qytetari nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të vendos vet për rastin e tij sipas Kanunit” shprehet Azemi.
Halit Azemi thotë se gjykatat janë shndërruar në pazare sepse po mungon profesionalizmi dhe po mungon guximi i gjyqtarëve për të vendosur drejt dhe pa ndikime. “Nëse shikohen gjykatat e rajonit del se gjykatat tona janë më të dobëtat në rajon pikërisht se s`kanë profesionalizëm dhe këta gjykatës nuk kanë përvojë në rastet e tilla”.
Azemi tha se rastin e këtij qytetari nga Tërrnoci do ta paraqes në organet më të larta për të parë se si gjykatësi në Gjykatën e Gjilanit Burim Emërllahu bënë gabime amatoreske./rajonipress/


