Kudusi Lama: Lufta e shenjtë e UÇK-së
Gjenerali i ushtrisë shqiptare, Kudusi Lama, thotë se luftëtarët e UÇK-së janë shenjtëri. Ata, sipas tij, ishin të gatshëm të japin jetën. Në një shkrim autorial botuar sot në të përditshmen “Epoka e re”, Kudusi Lama shkruan për kontributin që kanë dhënë në çlirimin e vendit udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Luftëtarët e luftës çlirimtare të Kosovës, prej Azem Sylës e Xhavit Halitit e deri te luftëtari i fundit që e ka rrëmbyer armën më datë 8 qershor 1999, se as ai nuk e ka ditur se lufta do të përfundonte të nesërmen, janë shenjtëri. Të gjithë kanë qenë të gatshëm ta japin jetën”, ka thënë Lama.
Ai në këtë shkrim thotë se është habitur me disa deklarata, se Ushtria Çlirimtare nuk ka pasur një udhëheqje të mirëfilltë politike, se ajo ishte një bashkësi njësish pa drejtim të centralizuar.
“Tani doli varianti se ka pasur drejtim, por drejtuesit kanë qëndruar në Tiranë. E unë e kthej kokën nga momenti i nisjes së delegacionit të Ushtrisë Çlirimtare për në Rambuje, në shkurt të vitit 1999. Në atë delegacion evidencoi krerët, të cilët ishin: Azem Syla, Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Ramë Buja e të tjerë”, thotë Lama.


