Të zhdukurit, kusht për bisedime
Ligjvënësit e Kosovës kanë kërkuar të enjten nga Qeveria e kryeministrit, Isa Mustafa, që t’i kushtëzojë bisedimet me Serbinë me zbardhjen e fatit të mijëra të pagjeturve dhe ndriçimin e fatit të profesor Ukshin Hotit.
Fati i të pagjeturve të Kosovës për herë të parë ka bërë bashkë pozitën dhe opozitën, të cilët njëzëri kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të bëjë presion mbi Serbinë, derisa kanë kërkuar edhe nga institucionet e shtetit të Kosovës që të ngrenë padi për gjenocidin që ka bërë shteti serb gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Gjatë shqyrtimit të rekomandimeve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit, deputeti nga PDK-ja, Nait Hasani, përmendi me emra përgjegjësit që kanë marrë nga Burgu i Dubravës veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare Ukshin Hotin, të cilët, tha ai, jo vetëm që nuk kanë dhënë asnjë llogari për zhdukjen e tij, por ata janë avancuar nëpër burgjet e Serbisë duke marrë pozita menaxheriale.
Ai ndau edhe ca momente nga ndarja e fundit me Ukshin Hotin, me të cilin ka qëndruar në të njëjtën dhomë duke vuajtur dënimin në Burgun e Dubravës. “Kur jemi përshëndetur me Ukshinin, ai ka pasur shqetësime jo për fatin e vet, por edhe të shokëve. Andaj, dihen me emër e mbiemër personat që e kanë marrë Ukshinin. Nga dhoma e ka marrë Branku, pastaj e ka përcjellë tutje komandanti i Burgut, Miki, dhe përgjegjësi i gjithë kësaj është drejtori i Burgut, Aca. Që të tre janë punëtorë të Burgut në Beograd dhe Pozharec, të cilët janë stimuluar për veprimet që i kanë bërë në Burgun e Dubravës”, ka thënë ai./zeri/


