Gjilani nuk ka ekip për Superligë
Gjilan – Shënues: Ferati 15’ – Namani 63’, Zogiani 85’, Mavriqi 90’. Gjilani nuk ka ekip për Superligën e Kosovës. Kjo u dëshmua në ballafaqimin e drejtpërdrejtë me pretendentin kryesor Llapin. Vendasit pësuan me rezultat bindës 1:3 dhe kjo është humbja e dytë radhazi, pas humbjes kundër një rivali tjetër për Superligë, ekipit të Lirisë. Gjilani – Llapi 1:3 (1:0).
Gjilani, që sot luajti pa shikues për shkak të incidentit nga ndeshja e mëhershme, ka bërë një lojë të njëjtë, sikurse ndaj Lirisë. Udhëhoqi dhe u tërhoq, për t’i mundësuar kundërshtarit që të shënojë.
Vendasit si rëndom mirë e kanë filluar lojën, ngase që në minutën 15 ia kanë dalë të shënojnë. Salihu nga thellësia e ka shërbyer Feratin e ky me një gjuajtje të fortë për tokë ia ka dalë të shënojë për 1:0. Çuditërisht që nga ky shënim ekipi vendas është tërhequr në mbrojtje dhe u mundua që nëpërmjet ndonjë kundërsulmi të shënojë. Në këtë mënyrë për pak se nuk pësoi në minutën 35, kur pas një gjuajtje aksidentale, topi u përplas në tërthorëse.
Në pjesën e dytë u mendua se vendasit do ta kërkojnë golin e dytë, gjë e cila nuk ndodhi. Ata u tërhoqën që të gjithë, duke u futur në zonën e portierit. Në minutën 63, Namani e gjeti zgjidhjen, duke dhënë një gjuajtje të fortë nga largësia dhe duke qëlluar këndin e epërm të djathtë. Mysafirët edhe më tej sulmonin dhe pesë minuta pa përfunduar ndeshja ia dolën të shënojnë edhe njëherë, kësaj radhe nëpërmjet zëvendësuesit Zogiani, i cili ka shënuar nga një pozitë ballore. Vendasit ia nisin të lëshojnë nervat dhe dy minuta pa përfunduar ndeshja, Arbër Shala u dënua me karton të kuq. Dhe kur pritej fundi, mysafirët shënuan edhe njëherë nëpërmjet Mavriqit, i cili gjuajti nga anash, por ishte shumë i saktë.
Gjilani – Llapi 1:3 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Gjilan. Ndeshja u zhvillua pa shikues: Shënues: Shënues: Ferati 15’ – Namani 63’, Zogiani 85’, Mavriqi 90’. Kartoni verdhë: Hyseni, Maliqi, Ferati – Emini, Zogiani. Kartoni i kuq: Shala.
Gjilani: Maloku, Hyseni, Kosumi, Maliqi, Kastrati, Mustafa, Shala, Salihu, Sermaxhaj (Marovca), Ferati, Morina (Jetullahu). Trajner: Sadullah Ajeti.
Llapi: Hyseni, Emini, Jashari, Krasniqi, Sinani, Namani, Zeqiri, Dragusha, Mehmeti (Zogiani), Boshnjaku, Sylejmani (Mavriqi). Trajner: Tahir Batatina./rajonipress/.


