Hungaria e gatshme ta ndihmojë Artanën në bujqësi dhe turizëm rural
Gjilan – Në një takim që ka pasur ambasadori i Hungarisë në Prishtinë Laszla Markusza me kreun e Artanës ka shprehur gatishmërinë që shteti i tij ta ndihmojë këtë komunë në fushën e bujqësisë dhe turizmit rural.
Kryetari i Komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanoviq ka pritur në një takim pune Ambasadorin e Hungarisë në Prishtinë Laszla Markusza, me të cilin ka biseduar për shumë çështje që e preokupojnë këtë komunë.
Ivanoviq ka shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim të suksesshëm të Ambasadës Hungareze në Prishtinë dhe Komunës së Novobërdës.
Ivanoviq e ka njoftuar ambasadorin Laszla mbi punën e qeverisjes lokale si dhe me planet dhe prioritetet për zhvillimin ekonomik të komunës së Novobërdës.
Ambasadori i Hungarisë falënderoi Kryetarin në mikpritje dhe shprehi kënaqësinë me rastin e vizitës së komunës së Novobërdës.
Gjatë vizitës Laszlo theksoi se Komuna e Novobërdës është ndër komunat e para në Kosovë që vizitohet në fillim të mandatit të tij. Gjithashtu ai ka shprehur vullnet të mirë dhe dëshirë që ta ndihmoj Komunën e Novobërdës në të ardhmen edhe atë në fushën e zhvillimit të bujqësisë dhe turizmit rural.
Pas vizitës së pushtetit lokal Ambasadori i Hungarisë së bashku me Kryetarin kanë vizituar Kalanë e Novobërdës./rajonipress/


