Edhe një dëshpërim i Dritës
Gjilan – Shënues: Dukagjin Gashi 15’. Drita seriozisht është ngjitur në fund të tabelës, sidomos pas humbjes që e pësoi këtë të diele në ballafaqim me Besën nga Peja. Ekipit vendas që i duhej shumë fitorja, punët nuk po i shkojnë mirë këtë pranverë dhe kjo është ndeshja e shtatë radhazi që nuk kanë arritur fitore.
Ekipi bardh e kaltër nuk e ka nisur ndeshjen me ndonjë agresivitet të theksuar, andaj ekipi mysafirë që në nismë u hodh në sulm dhe që në minutën 15 ia ka dalë të shënojë.
Pikërisht kur kishte kaluar një çerek ore lojë, pejanët patën një harkim në brendi, ku topi u dëbua nga mbrojtja vendase, por aty afër ishte Dukagjin Gashi, i cili me një gjuajtje ballore ia doli të shënojë.
Vendasit rastin më të mirë e kanë pasur në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Mensur Limani, bëri gjithçka mirë, por në momentin kur deshi të gjuaj u ngatërrua dhe rasti shkoi në pakshim.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, vendasit luajtën më mirë e mysafirët më shumë u përqendruan në kundërsulme, por ndryshim të rezultatit nuk pati.
Deklaruan pas ndeshjes:
Sedat Pajaziti (Drita): “U desh që ne të luajmë më me përgjegjësi, por kjo nuk ndodhi. Ne nuk po arrijmë ta mbajmë koncentrimin. Unë besoj se Drita do të mbetet në Superligë, sepse cilësinë e ka”.
Arbnor Morina (Besa): “ Drita po luan futboll të mirë e ne në momente kyçe e shënuam fitoren. Gjatë tërë javës patëm probleme, me kartonë e me lëndime, por ia dolëm. Do t’i bëjmë hyzmetin garës për titull deri në fund. Besoj se Drita do të dal nga kjo gjendje”.
Drita – Besa 0:1 (0:1)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 1000. Arbitra: Isufi – Latifi – Mehmeti – Caraviku. Shënues: Dukagjin Gashi. Kartoni i verdhë: Tusuni, Syla – Gashi.
Drita: Latifi, Osmani, Baxhuku (Ramushi), A. Limani, Tusuni, Kastrati (Syla), Shillova, Kelmendi, M. Limani, Murati (Zejnullahu), Haliti.
Besa: Bytyqi, Cacaj, Fid. Papuqi, Hasani, Fis. Papuqi, Gashi, Dautaj, Duraku, Qorraj, Karahoda, Rexha./rajonipress/


