Gjilani e Drita eliminohen nga garat për kupë
Gjilan – Drita është mposhtur nga Ferronikli me rezultat 4:6, derisa Gjilani është mposhtur nga Trepça ’89 me rezultat 0:2.
Drita është mbajtur mirë në pjesën e parë, por jo edhe në të dytën. Gjilanasit dy herë kanë qenë në epërsi, kurse mysafirët nga Drenasi ia kanë dalë të barazojnë e më pas edhe të kalojnë në epërsi.
Pas kësaj ndeshje janë ngjallë dyshimet se loja ishte e kurdisur, ngase pikërisht këtë fundjavë, në Gjilan sërish do të ballafaqohen Drita dhe Ferronikli dhe përderisa ekipi gjilanas po lufton për mbijetesë, ekipi nga Drenasi ka kreun e tabelës dhe mëton që sivjet të shpallet kampion.
Për Dritën kanë shënuar Kastrati, Tosuni, Osmani e Sermaxhaj, derisa për Ferroniklin kanë shënuar Olluri, Lvoreka, Eminhaziri (dy herë) dhe Elshani (dy herë).
Në ballafaqimin në mes të Gjilanit dhe Trepçës ’89 pas një pjese të parë të nivelizuar, ekipin gjilanas e lëshoi forca dhe koncentrimi, andaj ka pësuar dy gola pak para mbylljes së ndeshjes. Fillimisht nga afërsia për mysafirët ka shënuar Mustafa e më pas edhe lojtari më i mirë mitrovicas Berat Hyseni.
Kjo është humbja e dytë radhazi e ekipit gjilanas, që tashti është në telashe edhe në luftë për rikthimin në elitën e futbollit kosovar. Këtë të diele ata kishin pësuar me konkurrentin e drejtpërdrejtë Lirinë nga Prizreni. Gjilani, që kaq mbetur edhe pa trajnerin Musa Selimi, ka ngelur prapa Llapit e Lirisë dhe tashti për t’u kthyer në elitë duhet që patjetër të shënojë fitore në ndeshjet e radhës, ngase pikët e humbura e largojnë nga gara për rikthim në elitë. /rajonipress/


