Vetëvendosje kundër ekstremizmit, por jo islamofobe
Albin Kurti, ish-kryetar i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, ka vlerësuar se në Kosovë ka islamofobë, ndërsa për VV-në, ka thënë se është kundër ekstremizmit fetarë, por nuk është islamofobe.
Në një intervistë dhënë për gazetën ‘Zëri’, ditë më parë, Kurti ka folur edhe lidhur me atë nëse subjekti i tij politik po flirton me ekstremistët, siç është gjykuar jo rrallë herë nga opinioni publik.
Një gjë të tillë ai e ka quajtur shpifje, ndërsa ka thënë se Vetëvendosje është kundër ekstremizmit fetarë, dhe madje sipas tij është më radikale në këtë se sa vet qeveria e Kosovës.
Sidoqoftë, VV është i vetmi subjekt politik që në Kuvendin e Kosovës, nuk e ka votuar ligjin që dënon personat që i’u bashkangjiten lufërave të huaja, ligj ky i cili u kërkua të votohet për shkak pjesëmarrjes së kosovarëve në luftërat në Siri e Irak.
‘Ky ligj nuk dënon vetëm ata që i bashkohen grupeve si ISIS, apo AL-Qaeda, ky ligj dënon edhe një shqiptarë nëse shkon e lufton përkrah amerikanëve, ky ligj dënon edhe atë që shkon e lufton përkrah kurdëve në Kobani kundër ISIS-it, prandaj VV ka qenë kundër’, ka sqaruar Kurti, ndërsa ka shtuar se në këtë ligj madje nuk përmendet askund fjala ‘terrorizëm’.
Ndërsa kërkesa e VV-së ka qenë që të bëhet një listë e organizatave terroriste, ku do të futej ISIS dhe AL-Qaeda, thotë Kurti.
I pyetur se pse VV nuk e dënon ekstremizmin fetar në Kosovë, sikurse e dënon korrupsionin, Kurti tha se ‘Vetëvendosje nuk ka bërë zhurmë, por ka folur në mënyrë racionale’.
“Ne jemi kundër ekstremizmave fetarë, por nuk jemi islamofobë, nuk jemi kundër asnjërit religjion. Mendojmë se kombi duhet të jetë mbi të gjitha. Edhe ekstremizmat fetarë duhet t’i luftojmë në emër të kombit tonë e jo në emër të SHBA-ve, a perëndimit. Kombi ynë ka mjaftueshëm vlera, traditë dhe histori që do t’i shërbenin si burime për ta bërë një gjë të tillë. Në rast të luftimit të ekstremizmave fetarë në emër të SHBA-ve a perëndimit, kjo do ta shndërronte Kosovën në një fushëbetejë me dëme të paparashikueshme”, është përgjigjja e Kurtit, duke shtuar se ‘në Kosovë ka edhe islamofobë e ata janë më të zhurmshmit’.
Sipas Kurtit, rreziku numër një i Kosovës nuk është ekstremizmi fetarë. Sipas tij ekstremizmi fetarë rënditet e treta, ndërsa e para është Serbia dhe e dyta korrupsioni qeveritar. /Zëri/


