Mobi Casa

Protesta e të varfërve

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Naser Sertolli – Për të protestuar, jo veç më 18 prill, por për çdo ditë, madje në çdo kohë, ditë e natë, qytetarët e këtij vendi kanë si kurrë më parë numër aq të madh arsyesh.

Për shkak të mosmbajtjes së premtimeve parazgjedhore për krijimin e dhjetëra e qindra mijëra vendeve të punës, pra për shkak të moszbutjes së nivelit të lartë të papunësisë, për shkak të përmasave të varfërisë, të mosngritjes së pagave, për shkak të korrupsionit, të nepotizmit, të sistemit të rrënuar shëndetësor e arsimor, pushteti qendror e meriton t’i zihet dera e të mos i lëshohet deri në momentin kur ose do të ndërmerrte veprime që përnjëmend do ta ndryshonin gjendjen ose do ta ngrinte lart flamurin e bardhë.

Prandaj edhe protesta e së shtunës është e drejtë, me vend, e nevojshme dhe e shëndetshme për demokracinë tonë, për qytetarët tanë.

Ani se disa prej arsyeve për të cilat është thirrur ajo, sikur kapja apo shkapja e shtetit dhe ngjarjet e fundit në televizionin publik, mund të ngjallin interesin dhe reagimin e ndonjë qytetari, pika më e fortë e saj është ajo që prek drejtpërdrejt xhepin e varfër të tyre – shërbimet e shtrenjta, më konkretisht çmimi i lartë i energjisë elektrike.

Rryma e shtrenjtë dhe shitja me çmim qesharak e Distribucionit të KEK-ut, si dhe mosfurnizimi i rregullt që na është premtuar pas privatizimit, do të duhej të ishte një prej arsyeve që ta mbanin para dyerve të Qeverisë secilin qytetar të varfër të Kosovës.

Mobi Casa

Protestë do të duhej mbajtur çdo ditë edhe për çështjet e tjera: për privatizimet, për vjedhjet me tenderë, për haraçin, për plaçkitjen e pronës dhe pasurisë publike, për moskryerjen e punëve me kohë, për çmimet e larta të shërbimeve, për mungesë të investimeve në sektorët që do të mundë të gjeneronin të ardhura, për mungesë të dhënies së llogarisë, për pensione të ulëta, që s’mjaftojnë as për ilaçet më të lira…

Pra, janë gjithë këto gjëra për të cilat do të mundë të protestonin qytetarët e thjeshtë, të cilët, ndonëse të varfër, u varfëruan edhe më shumë nga politika qorre dhe politikanë që pushtetin e panë dhe e shfrytëzuan vetëm për pasurim personal e klanor.

Prandaj, protestat, përfshirë edhe këtë të 18 prillit, janë për t’u përkrahur përderisa aty shpërfaqen kërkesat vetëm të qytetarëve, atyre të varfër, të atyre që po i vuajnë pasojat e vendimeve të politikanëve të papërgjegjshëm.

Si e tillë, pra, protesta nuk duhet lejuar të keqpërdoret nga askush, pra nuk duhet lejuar që përmes saj dikush të përfitojë politikisht ose në ndonjë mënyrë tjetër.

Në këtë situatë, një e mirë që nuk mund të mohohet është se qytetarët kosovarë janë vetëdijesuar. Secili tashmë e di saktësisht se kush sa e çka ka bërë për interesat e tij. E dallojnë politikanin që u qëndroi gjithmonë pranë dhe nuk i tradhtoi në asnjë moment. Po ashtu, e dinë mirë se cili e ngriti dorën aty ku duhej kundërshtuar. E dinë edhe se cili u pasurua në kurriz të pasurisë së shtetit e të buxhetit dhe rrjedhimisht kush i varfëroi e i solli në atë derexhe sa të mos kenë lekë për të paguar një biletë autobusi që të vijë në Prishtinë për ta shprehur mospajtimin e tij me gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet ai dhe pjesa dërrmuese e popullatës.