Paralajmëron opozita: Protesta është paqësore
Protesta e thirrur nga tri subjektet opozitare nën moton “Kundër kapjes së shtetit”, e cila do të mbahet të shtunën më 18 prill, sipas zyrtarëve opozitarë pritet të jetë e qetë dhe paqësore. Sipas tyre, qëllimi kryesor i kësaj proteste është që të reflektojë jeta e qytetarit dhe jo të vështirësohet ajo. Liderët opozitarë presin që pjesëmarrja e qytetarëve të jetë masive dhe gjithëpopullore, ndërsa Policia e Kosovës nuk ka marrë kurrfarë njoftimi për këtë demonstratë.
Ernest Luma nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për “Zërin” ka thënë që gjendja në Kosovë është e ngrirë dhe se është kapur shteti nga individë të caktuar me interesa të tyre. Sipas Lumës, Kosova është shtet sovran i uzurpuar. Ai është shprehur që kjo protestë të jetë paqësore dhe masive.
“Protesta gjithmonë është pakënaqësi me pushtetin. E dinë të gjithë dhe kjo protestë do të jeta paqësore, gjithëpopullore. Kosova është kapur nga individë të caktuar të cilët kanë uzurpuar këtë vend… Nëse nuk do të ketë reflektim do të ketë përshkallëzim të pakënaqësive gjithëqytetare”, është shprehur Luma./zeri/


