Zamparini shpreson t’i jepet rasti Ujkanit
Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, dëshiron që skuadra e tij t’i fitojë sa më shpejt 40 pikë për t’ia dhënë rastin portierit të Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, dhe disa të tjerëve të luajnë në ndeshjet e fundit.
“Unë shpresoj që t’i fitojmë 40 pikë dhe më pas t’ua japim rastin lojtarëve si Ujkani e disa tjerëve të luajnë për të pasur një pasqyrë nga secili lojtar për edicionin e ardhshëm”, ka thënë Zamparini, të enjten, njofton “corrieredellosport.it”.
Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, me Palermon ka kontratë deri në fund të këtij edicioni. Por ai nuk dëshiron të vazhdojë kontratën pa marrë garanci se do të jetë në planet e Palermos për edicionin e ri. Ish-portieri i Shqipërisë këtë edicion në Serie A të Italisë, me fanellën e Palermos nuk ka zhvilluar asnjë paraqitje.
Te skuadra e Palermos është që nga viti 2007. Por, ai në disa raste është huazuar te skuadrat e tjera italiane./koha/


