ARKATANA

Opozita kritikon, pozita lëvdon 100-ditëshin e Qeverisë

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Njëqind ditët e para të qeverisjes aktuale janë vlerësuar të pashpresa nga deputetët opozitarë, derisa pozita kishte vlerësime kryesisht pozitive për punën e koalicionit qeverisës. Debati nuk përfundoi, meqë shumica e deputetëve nuk qëndruan deri në fund. Me kërkesë të iniciuesit të debatit dhe me pajtimin e grupeve tjera, debati do të vazhdojë të premten në orën 11:00.

Iniciuesi i debatit për punën njëqind-ditore të Qeverisë, Glauk Konjufca, ka thënë se këto ditë mund të vlerësohen si një lloj mëngjesi.

“Nëse dita e mirë shihet në mëngjes, Qeveria e Isa Mustafës, nuk duket aspak premtuese”, ka thënë ai. “Pesë minuta pasi kryeministri e mori detyrën e re, iu drejtua me një fjalim aspak të lavdishëm deputetëve rebelues të cilët nuk e kishin votuar. Në ditën 50, në mes të njëqind-ditëshit, kryeministri tha se njerëzit që po ikin nga Kosova janë njerëz me Iphona dhe se nuk i kanë punët bash keq. Në ditën e 100-të të qeverisjes, ai tha se Ushtria e Kosovës nuk do të shkel në një pjesë të territorit të vet. Kështu filloj, kështu u zhvillua dhe kështu përfundoj 100-ditëshi i kësaj qeverie”.

Konjufca shtoi se duke qenë se dy partitë që qeverisin, prej vitit 2001 janë përgjegjëse për: ngecjen e zhvillimit ekonomik, lulëzimit të korrupsionit kronik nëpër institucione, degradimin e sistemit arsimor, erozionin e sovranitetit shtetëror dhe ngufatjen e drejtësisë.

Ai tha se kur qytetarët e humbin besimin ndaj Qeverisë, kjo shfaqet në dy forma: ose si revoltë, ose si dëshpërim ku të revoltuarit protestojnë, kurse të dëshpëruarit e lëshojnë atdheun.

Pas Konjufcës, fjalën e mori kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili qysh në fillim akuzoi deputetin Konjufca për të pavërteta në mocionin e tij.

“Është e pavërtetë që unë dhe ministrat kemi përkrahur dhunën në protestë, por është e vërtetë se në protestë janë lënduar 126 policë, kryesisht me gurë; janë demoluar prona private dhe publike dhe janë lënduar 20 qytetarë. Raporti është 1 me 6. E vërteta është se bisedat që i kam pasur jashtë vendit, njerëzit më kanë thënë që në radhën e atyre që po kërkojnë strehim ka njerëz me iphona. Aq më e pavërtetë është që unë i kam quajtur prindërit e fëmijës që humbi jetën në Hungari të papërgjegjshëm. E vërteta është se familjarët kanë përgjegjësi për fëmijët e tyre dhe, nëse këtë nuk e dini, lexojeni Ligjin për Familjen që është miratuar në Kuvend”, tha Mustafa.

Ai tha se një vend të veçantë në programin qeverisës zë lufta kundër korrupsionit dhe terrorizmit. Ndërsa, shtoi se programi i tij përbëhet nga pesë shtylla kryesore, që do të kthejnë besimin e qytetarëve.

“Programi përqendrohet në pesë fusha: në zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor, në agjendën evropiane dhe në reformat thelbësore në arsim, si dhe në shëndetësinë bashkëkohore. Në bazamentin e programit të Qeverisë së Kosovës, dhe në filozofinë e saj vepruese janë vlerat demokratike evropiane, është respekti për traditën, për lirinë, drejtësinë, për tolerancën, është transparenca, liria e të shprehurit individuale dhe kolektive që paraqesin fondamentin e një shoqërie evropiane të Kosovës”, theksoi ai.

Uji Dea

Debatit iu bashkëngjit edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, i cili tha se programi qeverisës i dy partive është ambicioz, konciz dhe real për realitetin politik në Kosovë. Kryediplomati kosovar foli shumë për politikën e jashtme, duke thënë se Kosova është konsoliduar në arenën ndërkombëtare dhe se po e dëshmon subjektivitetin e vet ndërkombëtar. Sipas tij, këtë e konfirmon ftesa për të nënshkruar MSA-në me BE-në në pjesën e dytë të këtij viti.

“Po promovohet Kosova si destinacion i mirë dhe atrtaktiv për investime. Investimi në qendrën e skijimit në Brezovicë është dokument i fuqishëm për të tërhequr investitorë seriozë ndërkombëtarë. Janë duke u përgatitur dokumente, analiza dhe biznes-plane të elaburuara, që do t’ju paraqiten investitorëve në Evropë dhe më gjerë. Prioritet tjetër është fuqizimi i shtetësisë. Do të kërkojmë njohjen e Kosovës, por në fokus do të jetë edhe anëtarësimi i Kosovës në forume dhe organizata ndërkombëtare nga ku qytetarët e Kosovës do të përfitojnë shumë”, tha ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, deklaroi se programi i Qeverisë është i përgjithësuar dhe kjo është bërë me qëllim që puna e Qeverisë të jetë e pamonitorueshme.

Kritika të ashpra patën edhe liderë tjerë të partive opozitare. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka sugjeruar Qeverinë e Kosovës që të merr seriozisht punën e “ç’kapjes së shtetit, ndalimin e korrupsionit, kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe partneritetin për zhvillimin ekonomik të vendit”. Madje, ai ia ka kujtuar Mustafës se nëse nuk punon, do ta fundos shtetin e Kosovës e edhe vetën.

“Kur të takohemi herën tjetër, për ballafaqim me gjendjen, do të jemi më keq se sot”, ka thënë Haradinaj.

E, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka drejtuar një varg akuzash ndaj punës së Qeverisë, duke thënë se nuk ka bërë asgjë në “ç’kapjen e shtetit, sundimin e ligjit, e shumë premtime tjera që nuk jepen sinjal se do t’i realizojnë”.

Por, derisa opozita kritikonte programin qeverisës dhe punën 100-ditëshe të Qeverisë, deputetët e pozitës lavdëronin punën që kanë bërë koalicioni qeverisës në këtë fillim të punës së saj. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se përbërja e Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa – “edhe përkundër protestave me të cilat u përball në fillim” – është e drejtuar nga zhvillimi ekonomik i vendit dhe jo i turbo-folklorizmave.

Edhe deputetë tjerë nga pozita dhe opozita shtruan qëndrimet e tyre karshi punës 100-ditëshe të Qeverisë dhe programit qeverisës, karshi sektorëve, si: arsimi, shëndetësia, kultura e shumë sektorë tjerë. Ndërsa, edhe ministrat e kabinetit qeveritar i janë përgjigjur kritikave të deputetëve. /telegrafi/