Eko Higjiena

Veteranët nuk e përjashtojnë dhunën gjatë protestës

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Një protestë e thirrur për të hënën në qendër të Prishtinës, ku do të kërkohet publikimi sa më i shpejtë i listës së veteranëve të UÇK-së dhe do të kundërshtohet krijimi i Gjykatës Speciale, nuk sigurohet se do të kalojë e qetë ashtu siç është thirrur.

Xhevdet Qeriqi, udhëheqës i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë të dielën për “Zërin” se ish-luftëtarët janë në tension, andaj edhe nuk siguron që protesta e thirrur nga organizata, që drejton ai, të jetë e qetë.

Protesta njëorëshe është thirrur për të hënën dhe do të fillojë nga sheshi “Zahir Pajaziti”, ndërsa protestuesit do të ecin deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Qeriqi qartëson se Komisioni përkatës ende nuk i ka publikuar të gjitha listat e veteranëve, përkatësisht nuk i ka publikuar listat nga Zona e Dukagjinit, Drenicës dhe listën e ish-ushtarëve nga Shtabi i Përgjithshëm.

Mospublikimi i këtyre listave, sipas tij, po e prolongon edhe implementimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së, ligj i cili iu ofron disa beneficione atyre që kanë qenë pjesë e luftës së fundit në Kosovë.

KKVITI

“Ne e kemi lajmëruar Policinë për këtë protestë, e cila është thirrur e qetë. Por, te ish-luftëtarët vërehet që janë në tension dhe protesta mund të eskalojë. Unë kurrfarë përgjegjësie nuk marr nëse ekalon, ngase përgjegjësinë duhet ta marrin institucionet tona, të cilat nuk kanë bërë asgjë për ish-luftëtarët”, thotë Qeriqi.

Ai shton se tensioni vërehet për shkak të kushteve të rënda në të cilat jetojnë shumë ish-luftëtarë, ndërsa përmend se mbi 40 sosh kanë bërë vetëvrasje si rezultat i dëshpërimit.

Protesta, sipas Qeriqit, është thirrur nga Këshilli që drejton ai ndërsa ka pohuar se nuk e kanë mbështetjen e organizatave të tjera të dala nga lufta. Andaj, siç ka thënë ai, nuk mund të paragjykojnë e të thonë se sa persona do të jenë pjesë e protestës njëorëshe.

Përmes protestës, ai ka thënë se do të kundërshtohet edhe krijimi i Gjykatës Speciale, ngase siç vlerësojnë ish-luftëtarët, kjo Gjykatë do të njollosë vlerat e luftës së drejtë të popullit të Kosovës.

“Me këtë Gjykatë po na bëhet një e padrejtë e madhe”, ka thënë ai, duke shtuar se do të përdorin të gjitha mënyrat e lejuara për ta kundërshtuar themelimin e kësaj Gjykate./zeri/