Komuna e Kamenicës kërkon ndihmën e FSK-së për ta përballuar situatën emergjente
Kamenicë – Faik Rexhepaj drejtor për mbrojtje dhe shpëtim ka kërkuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, gjegjësisht nga Haki Xhemajli, Komandant i Batalionit të parë në Rajonin e Gjilanit që ta ndihmojë këtë komunë për ta përballuar situatën emergjente.
Kërkojmë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, që të na dalë në ndihmë pas reshjeve të mëdha të borës në Komunën e Kamenicës. Komuna e Kamenicës po përballet me një situatë emergjente ku shumica e rrugëve që lidhin fshatrat e kësaj komune janë të bllokuara nga reshjet dhe ortekët e borës të krijuara nga erërat.
Situata më e rënduar është në Tugjec ( Pika Kufitare në Kapi) që është e bllokuar, Zajqeci, pastaj në Poliqkë, Marovc, Vriqec, dhe rrugët dytësore në shumicën e fshatrave të Kamenicës ku ka edhe banorë të sëmurë.
Ndihma Juaj do të ishte e mirëseardhur për Komunën Tonë, me mjete të rënda motorike. Ne si komunë kemi harxhuar të gjitha kapacitetet e mundshme për hapjen e rrugëve. Kompania e kontraktuar nga Ministria është në teren, gjithashtu edhe kompanitë e tjera private të angazhuara nga Komuna e Kamenicës. Për informata të tjera ju lusim që të na kontaktoni 24 orë në ditë në telefonin 044 231 212 – Faik Rexhepaj – Drejtor i Mbrojtjes dhe Shpëtimit./rajonipress/

