Adnan, ndiqe rrugën e Ronaldos
Adnan Januzaj duhet të marrë mësim nga Cristiano Ronaldo. Mesfushori kosovar ka talent të jashtëzakonshëm, por që për momentin nuk është duke e shfrytëzuar sa duhet. Uebfaqja “hereisthecity.com” ia ka kushtuar një shkrim të veçantë përfaqësuesit belg, të cilit ia jep një këshillë – ta ndjek rrugën e yllit portugez, i cili e kishte arritur kulmin me “Djajtë e Kuq”, duke e fituar “Topin e Artë”.
“Adnan Januzaj duhet të mundohet të përmirësohet, njëjtë si Ronaldo. Ai ka talent të pamohueshëm, por fatkeqësisht e ka zhvilluar më shumë reputacionin si një lojtar që rrëzohet shumë lehtë”, shkruan fillimisht kjo uebfaqe, përcjell Zëri.
“Me pesë kartonë të verdhë për simulime, në karrierën e tij të shkurtër, belgu ka marrë kritika kur talenti i tij duhet të dalë në pah. Si 20 vjeçar, mesfushori i krahut e ka bërë shprehi të rrëzohet kur nuk ka zgjidhje dhe nëse ka nevojë se si të ndryshojë, ai duhet ta shikojë se çka kishte bërë Cristiano Ronaldo në kohën e tij në Old Trafford”, vazhdon shkrimi.
“Januzaj ka shumë më tepër talent sesa të bëhet i famshëm për simulime dhe këtë duhet ta demonstrojë në vitet që vijnë. Në të njëjtën periudhë, Ronaldo shënonte gola dhe dhuronte asistime dhe Januzaj duhet të mundohet ta bëjë të njëjtën gjë”, shkruan “hereisthecity.com”, transmeton Zëri.
Januzaj e bëri një simulim amatoresk në ndeshje me Arsenalin, duke marrë kritika të ashpra dhe duke u bërë gati i botës. /Zëri/


