Pamje të rënda për Gjilanin evropian?
Gjilan – Gjilani njihet si qytet i pastër dhe me pak mbeturina e ambient të pastër. Për shumë vite është quajtur edhe si Gjilani evropian. Por këto pamje të dy ditëve të fundit janë vërtet shqetësuese dhe tregojnë dështimin totalisht të komunës për të menaxhuar si duhet me kompanitë publike dhe ato partnere. E pafajshme nuk është as “Eco – Higjiena” e cila duhet të krijoj stabilitet brenda kompanisë.
Gjithkund sheh bërllok, gjithkund has në borë dhe rrugë e trotuare të papastruara. Ky është Gjilani evropian për të cilin qeverisja e Lutfi Hazirit për shumë kohë është përpjekur.
E tani Gjilani ndodhet para kolapsit. Mbeturina kudo, në lagje, në qendër të qytetit. Pas bërllokut vrapojnë qentë endacak, kurse bora e fundit ende mbetet nëpër trotuare, rrugë e lagje të qytetit.
Pavarësisht “dështimit” të Lutfi Hazirit në raport me “Eco – Higjienën”, qytetarët nuk e meritojnë këtë maskarallëk. Qytetarët nuk janë fajtor pse kompanitë publike janë viktima të qeverisjes komunale. Aktualisht të gjitha kompanitë publike dhe ato partnere ndodhen në situatën më të keqe të mundshme. Gjithkund dominon përçarja, shantazhi, kërcënimi, presioni dhe pasiguria e punëtorëve.
Qeverisja Haziri më në fund duhet të këndellet pas festave të fundvitit dhe të shoh realisht një zgjidhje fatlume për “Eco – Higjienën”, në mënyrë që mos t`i mashtrojë apo torturojë punëtorët e krahut.
E pafajshme nuk është edhe “Eco – Higjiena” në këtë mes e cila duhet të krijoj atmosferë pune dhe shërbime cilësore e efikase dhe jo të mbetet peng i një grupi të punëtorëve. “Eco – Higjiena” duhet tu ofrojë siguri maksimale punëtorëve dhe mbështetje për të ngritur nivelin e shërbimeve në teren/rajonipress/


