Gjilani e nis mbarë
Gjilan – Shënues; Lirian Ferati në minutën 55. Gjilani – Ulpiana 1:0 (0:0). Gjilani e ka nisur mbarë garën për t’u rikthyer në Superligën e Kosovës në futboll. Që në ndeshjen e parë ia ka dalë që të shënojë një fitore minimale në ballafaqim me Ulpianën, fitore kjo që është arritur me shumë vështirësi.
Mysafirët, që janë në pjesën e poshtme të tabelës, duket se për stinën e pranverës janë të përgatitur më mirë, ngase në pjesën më të madhe të ndeshjes patën raste më të mira shënimi dhe loja e tyre ishte dukshëm më e mirë. Për ta u bë keq kur në minutën 30, Buzuku që veç ishte i ndëshkuar me karton të verdhë, u ndëshkua edhe një herë dhe Ulpiana mbeti me dhjetë lojtarë në fushë.
Gjyqtari e ka përjashtuar Buzukun me motivacion se ai deshi të simulojë penalti. Përkundër se mbetën me një lojtar më pak në fushë, mysafirët luajtën mirë dhe u mbajtën mirë deri në minutën 55, kur pas një kurthi të dështuar të pozitës jashtë loje, Sermaxhaj e ka shërbyer Feratin, i cili nga një pozitë ballore ka qëlluar këndin e poshtëm të majtë të portierit mysafir.
Deri në fund të ndeshjes, vendasit ditën ta ruajnë rezultatin, derisa mysafirët u përpoqën së paku të barazojnë. Musa Selimi, kryetarjner i Gjilanit është ndarë i kënaqur me fitoren e arritur, derisa tha se duhet ende punë në të ardhmen, derisa i kënaqur me lojë është ndarë edhe kryetrajneri mysafir Fadil Ademi, por jo edhe me rezultat.
Gjilani – Ulpiana 1:0 (0:0)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 200. Gjyqtarë: Kastrati – Krasniqi – Kume. Shënues; Lirian Ferati në minutën 55. Kartoni i verdhë: Kastrati – Potera, Rrahamni. Kartoni i kuq pas dy të verdhëve: Buzuku.
Gjilani: Maloku, Hyseni, Kosumi, Arifi, Kastrati, Ramadani (Jetullahu), Shala, Salihu, Sermaxhaj (Haklaj). Ferati, Morina (Xhemajli). Trajner: Musa Selimi.
Ulpiana: Ismajli, Hasani, Potera, Byqmeti, Rrahmani, Tahiri, Pira, Ademi, Llugiqi, Buzuku, Gashi (Kaleshi). Trajner Fadil Ademi /rajonipress/


