PDK: Lutë ndale dhunën, kështu nuk mund ta qeverisësh komunën e Gjilanit
Gjilan – Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan shpreh shqetësimin serioz për mënyrën e udhëheqjes së institucioneve komunale nga ana e kryetarit Lutfi Haziri, i cili përmes presionit, kërcënimeve dhe dhunës së përdorur nga militantët e partisë së tij, po tenton të krijoj diktaturë në qeverisjen komunale të Gjilanit. Kjo praktikë ka qenë e njohur vetëm në vitet 2005 dhe 2006 kur edhe atëherë, para militantët e Lutfi Hazirit ishin kërcënues të funksionimit normal të punës së institucioneve komunale thuhet në reagimin e degës së PDK-së.
Rrahjet e mësimdhënësve mes veti në shkollat e Gjilanit, rrahja e inspektorëve komunal, kërcënimet e investitorëve të huaj që kanë ardhur në komunë për të investuar dhe tani së fundi kërcënimi i këshilltarit të Kuvendit Komunal Riad Rashiti në zyrën e drejtorisë për buxhet dhe financa, nga ana e sigurimit të komunës janë akte të papranueshme dhe i dënojmë së veprime të kësaj qeverisje komunale. Veprimet dhe sjelljet e tilla të klanit të Lutfi Hazirit, shprehin më së mirë nivelin e pushtetit aktual të komunës, që me çdo kusht mundohen të pengojnë punën normale dhe transparencën e institucioneve komunale.
Një militant i LDK-së si Isuf Baftjari, i punësuar nga Luta pa konkurs dhe i cili ishte i larguar nga puna për shkelje ligjore, ku edhe vendimi i Gjykatës Supreme, ia ka ndaluar atij të drejtën që të punojë në institucionet publike. Mirëpo për këtë kryetar komune, shihet se nuk vlejnë ligjet dhe vendimet e institucioneve përgjegjëse dhe ligjore.
Se i çfarë nivelit është ky punëtor i paligjshëm i sigurimit të Lutfi Hazirit, tregojnë më së miri këto foto, të cilat dëshmojnë se si ai ka vepruar në vitin 2010. Përveç kësaj foto ekziston edhe video e kësaj ngjarje ku shihen qartë veprimet e tija personale.
Ndërsa po ky militant i LDK-së, veprimet e tija të bëra personalisht nga ai në të kaluarën, provoi që t’ia ngarkojë këshilltarit komunal Riad Rashiti, duke e akuzuar për të njëjtat veprime, mirëpo këto fakte të cilat ekzistojnë, flasin të kundërtën e akuzave të cilat i ka bërë ai, ndaj anëtarit të kuvendit komunal të Gjilanit. Ndërsa për akuzat tjera të bëra nga ai, do të përballet me Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore për shpifje dhe akuza të pa qëndrueshme.
I kërkojmë Prokurorisë Themelore në Gjilan, që të vazhdojë procedurat e nisura ligjore dhe hetimet ndaj këtij punëtori të sigurimit të Lutfi Hazirit, dhe të hetojë të gjitha veprimet e tija të jashtëligjshme.
Ndërsa kryetari Haziri, duhet të distancohet nga veprimet e këtij zyrtari komunal dhe të merr masa adekuate ndaj tij, si dhe të ndalojë këtë formë të qeverisjes me institucionet komunale, sepse nuk do të mund të arrijë asgjë përmes presioneve, dhunës dhe kërcënimeve të cilat po i bënë, ndaj zyrtarëve komunal që nuk janë anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhet në reagimin e Degës së PDK-së në Gjilan./rajonipress/


