Basha: Isha afër përfundimit të tmerrshëm të karrierës
Ishte frikësuar se nuk do t’i kthehej më asnjëherë fushës së gjelbër, por tani dihet mirë dhe pret të luaj me Torinon ndeshjet e radhës. Për të ardhmen do të vendos në fund të sezonit, derisa ka një porosi për selektorin e Shqipërisë, Gianni De Biassin. Migjen Basha flet për Express.
Pas njëmbëdhjetë muajve pauzë, shkaku i lëndimit, Migjen Basha i është rikthyer fushës së gjelbër. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është aktivizuar për disa minuta në fitoren e Torinos ndaj Napolit (1:0).
Ish anëtari i Atalatnas, Riminit dhe Frosinones është shumë i lumtur që më në fund ka lënë prapa krahëve lëndimin. Madje, mesfushori me prejardhje nga Suhareka, gjatë kohës së rehabilitimit, ishte frikësuar që më nuk do të mund t’i rikthehej fushës.
“Nuk e kam pritur se do të luaj kaq shpejtë. Në janar kam qenë në bankën rezervë pasi klubi ka pasur probleme me fondin e lojtarëve”, ka deklaruar reprezentuesi i Shqipërisë për Express.
“Jam shumë i lumtur që kam luajtur, sepse pas njëmbëdhjetë muajve pauzë nuk ishte aspak e lehtë. Nganjëherë jam frikësuar se më nuk do të mund të luaj futboll, sepse lëndimi i kaviljes është i rëndë. Por, tashmë mendimet e këqija e kam larguar nga koka”, theksoi Basha.
Ndërsa, Basha tani premton se do ta jap maksimumin në stërvitje, derisa thotë se i mbetet trajnerit Giampiero Ventura që të vendos nëse do ta aktivizoj në ndeshjet e radhës.
“Unë nuk mund te them se do të luaj sigurt, varet nga trajneri. Unë do të stërvitet sa më mirë dhe të jam i gatshëm të luaj kurdo që trajneri të vendos që të më aktivizoj”, theksoi ai.
Ku do të luaj sezonin e ardhshëm Basha?
Basha ende nuk e dinë se ku do të luaj sezonin e ardhshëm. Ai ka kontratë me Torinon deri në fund të sezonit, derisa ende nuk ka filluar bisedimet për vazhdimin e saj.
“Herën e fundit që kam folur me drejtonin e klubit qëllimi ka qenë që t’i rikthehem në fushë dhe në fund të sezonit do të bisedojmë për kontratën e re. Nëse mendojnë që mundem me t’iu ndihmoj do të rri, nëse jo largohem”, deklaroi Basha.
Kurse, gjatë afatit kalimtar të janarit 28-vjeҫari kishte mundësin që ta ndryshonte ekipin, por vendosi t’i mbetet besnik ekipit torinez deri në fund të sezonit.
“Në janar kam pasur oferta nga ekipe të Serie A, Serie B, si dhe nga Zvicra (Grasshoppers dhe Sion), por vendosa të mbetem në Torino, pasi nuk isha i gatshëm të luaj menjëherë”, shtoi ai.
Basha pret ftesë nga De Biasi
Ndërsa, pas rikthimit në fushë me Torinon, Basha shpresën që të aktivizohet edhe me Kombëtaren shqiptare, në ndeshjet eliminatore për Kampionatin europian ‘Franca 2016’.
“Qëllimi i çdo lojtari është të luaj me Kombëtaren. Në Mars nuk besoj që do të ftohem, por për ndeshje tjera shpresoj të marrë ftesë”, deklaroi ai.
“Nëse trajneri mendon se mund ta ndihmoj ekipin jam i gatshëm ta bëj këtë, por nëse mendon që unë nuk i duhem ekipit do ta pranoj këtë”, përfundoi Basha.


